Ndërlidhjet

logo-print
Raportet ndëretnike në Maqedoni nuk janë të mira dhe faji për këtë bie mbi partitë politike, të cilat jo që nuk angazhohen për përmirësimin e tyre, por me veprimet e fundit ndikojnë në përkeqësimin e tyre, vlerësojnë nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, ekspertët dhe organizatat joqeveritare.


Raportet ndëretnike në Maqedoni nuk janë në nivelin e dëshirueshëm. Një hulumtim i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike që pritet të publikohet së shpejti, i cilëson si të brishta raportet mes dy bashkësive më të mëdha etnike në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë, për momentin janë të brishta, por shqetëson fakti se ata, të cilët duhet të kujdesen për përmirësimin e këtyre raporteve, heshtin”.


“Ata, të cilët duhet të miratojnë strategji të tillë, ata që duhet të kujdesen për përmirësimin e Marrëdhënieve ndëretnike, jemi dëshmitarë se në vend që ta bëjnë këtë, ata përpiqen që sa më shumë ta tensionojnë atmosferën ndëretnike”,
deklaron Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

Edhe organizatat joqeveritare që përmes iniciativave të ndryshme kanë trajtuar aspektet ndëretnike, thonë se raportet mes dy komuniteteve më të mëdha nuk kanë shënuar përparim.

Faji për këtë, sipas kryetarit të organizatës joqeveritare, “Realiteti”, Valon Bela, bie në radhë të parë mbi politikanët.

“Mendoj se ata janë më të merituarit për nga aspekti i përgjegjësisë. Disa nga faktorët që luhatin apo përkeqësojnë edhe më shumë raportet ndëretnike janë mungesa e politikave të kohezionit, qoftë në spektrin politik të liderëve partiakë, qoftë brenda shoqërisë apo brenda komuniteteve shumetnike”.

“Vërehen politika me programe, të cilat zbatohen në projekte monoetnike, monofetare, madje do të kisha thënë edhe monopartiake. Domethënë se nuk kemi seriozitet në asnjë iniciativë që së paku të ketë karakter të elementit shqiptar
”, shprehet Bela.

Ngjashëm vlerëson edhe Mirjana Malevska, eksperte për çështje ndëretnike.

“Partitë nuk zgjedhin mjete në luftën e tyre politike, ajo është ashpërsuar aq shumë dhe si duket po del jashtë kornizave të lojës fer që duhet të jetë, pasi kjo mund t’i sjell dëme stabilitetit të shtetit“, vlerëson Mirjana Malevska, ligjëruese universitare, e cila së fundi ka punuar edhe pjesën e Raportit të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuar lidhur me raportet ndëretnike.

Sipas këtij raporti, të publikuar në shtator, shumica e të anketuarve kanë konstatuar prishje të raporteve ndëretnike, ndërsa 77 për qind e tyre për këtë kanë fajësuar partitë politike.

Tensionet mes dy komuniteteve më të mëdha kanë filluar të ngrihen pas publikimit të enciklopedisë maqedonase, përmbajtja e së cilës fyente rëndë shqiptarët.

Mirëpo, përveç enciklopedisë, në sipërfaqe dolën edhe projekte tjera që po ashtu ngritën tensionet, si ai për ngritjen në sheshin e Shkupit të dhjetëra përmendoreve të personaliteteve maqedonase, pastaj gabimet e shumta në tekstet shkollore ku, po ashtu, shtrembërohej prejardhja e shqiptarëve, si dhe vendimi për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë - vendim ky që ishte vlerësues si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG