Ndërlidhjet

Në kërkim të rolit...


Prishtinë (Foto nga arkivi)
Prishtinë (Foto nga arkivi)
Me rastin e 10-vjetorit të Rezolutës 13 25 së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të hënën në Prishtinë është mbajtur një tryezë me temën: “Fuqizimi i grave në proceset e vendimmarrjes, paqes dhe sigurisë”. Lidhur me këtë, zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje dhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë, kanë thënë se në Kosovë është arritur një progres në këtë drejtim, por ende mbetet punë për t’u bërë.

Institucionet kosovare janë munduar që të zbatojnë Rezolutën 13 25 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje, me rastin e 10-vjetorit të kësaj rezolute.

Në një tryezë të organizuar nga Ministria e Administratës Publike, me temën “Fuqizimi i grave në proceset e vendimmarrjes, paqes dhe sigurisë”, ministrja në dorëheqje Edita Tahiri, ka thënë se pozita e grave në vendimmarrje nuk është e kënaqshme në Kosovë, por Rezoluta 13 25 ka dhënë disa rezultate inkurajuese.
Ne kemi nevojë që agjenda e gruas të mbërrijë në krye të agjendës nacionale të shtetit tonë...


“Në qoftë se do të kemi më shumë gra në vendimmarrjen politike, ato automatikisht bartin ndikimet e tyre në politikat nacionale. Dhe, ne kemi nevojë që agjenda e gruas të mbërrijë në krye të agjendës nacionale të shtetit tonë, e cila më pas do të mund të zbatohet më lehtë”,
ka thënë Tahiri.

Edhe Fehmi Mujota, ministër në dorëheqje në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka thënë se në këtë kuadër, kjo ministri është e përkushtuar që në periudhën e ngritjes dhe zhvillimit të mëtejmë të Forcës së Sigurisë, të ketë përfshirje më të madhe të femrave.

Përfshirja e femrës në këtë forcë, sipas Mujotës, konsiderohet obligim dhe përmbushje e misionit dhe funksionit të saj, sipas kritereve dhe standardeve të NATO-s.

Mujota ka shpjeguar se në Ministrinë e Forcës se Sigurisë, rreth 32 për qind e të punësuarve janë të gjinisë femërore.
Dhe, mund t’ju siguroj se kalimi i femrave në FSK, bëhet më kritere të njëjta sikurse për meshku...


“Angazhimi ynë permanentet është që të kemi përfshirje më të madhe të gjinisë femërore në FSK. Dhe, mund t’ju siguroj se kalimi i femrave në FSK, bëhet me kritere të njëjta sikurse për meshkuj, të gjitha kriteret dhe standardet janë të barabarta. Dhe, nuk mund të flasim vetëm për një përfshirje numerike, sipas asaj që dëshirojmë si fiksion, por është një përfshirje reale e femrës sipas kritereve dhe standardeve që plotëson”
, ka theksuar Mujota.

Ndryshe, Rezoluta 13 25 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përfshin tri shtylla veprimi: parandalimin e dhunës, veçanërisht dhunën seksuale ndaj grave në situata të konflikteve të armatosura, pjesëmarrjen e grave gjatë negociatave për paqe dhe në ndërtimin e paqes, si dhe ndjekjen penale të kundërvajtjes dhe të atyre që kanë kryer krime mbi gratë.

Por, Osnat Lubrani, koordinatore e Agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, ka thënë se përfaqësimi i femrës në vendimmarrje në Kosovë vazhdon të jetë një sfidë e madhe.
...ka nevojë për një përfaqësim më të madh në këtë fushë.


“Duke mos lënë anash as faktin se ka një numër femrash që marrin pjesë në vendimmarrje, megjithatë ka nevojë për një përfaqësim më të madh në këtë fushë”,
është shprehur Lubrani, për të shtuar se duhet të mendohet për përfaqësimin e femrës jo vetëm në politikë, por edhe në fusha tjera, si në ekonomi etj.

Vitin e kaluar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, kishte bërë një raport për monitorimin e zbatimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në këtë raport thuhet se përfshirja e grave në jetën publike është dukshëm nën nivel, posaçërisht në politikë dhe ekonomi.

Në strukturat politike qeveritare, shoqëritë civile dhe institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, shumica e pozitave vendimmarrëse mbahen nga burrat. Gratë janë më të prekura nga papunësia, varfëria dhe mungesa e qasjes në arsim.

Sa u përket mekanizmave ligjorë për barazi gjinore, thuhet në raport, Kosova radhitet në vendin e parë në rajon, mirëpo ekziston një zbrazëti e madhe në zbatimin e tyre.
XS
SM
MD
LG