Ndërlidhjet

Vetëvendosje s'e nënshkruan Kodin e Sjelljes



Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk ka marrë pjesë dhe nuk e ka nënshkruar deklaratën e përbashkët të partive politike dhe subjekteve elektorale lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010, meqenëse sic thotë nuk u beson partive politike në pushtet.

“Këto parti deri tash e kanë dëshmuar në shumë raste se nuk punojnë sipas asnjë kodi, etik a të mirësjelljes, dhe se janë të gatshme që për interesa të tyre të ngushta politike financiare e klanore ta shkelin secilin premtim që i kanë dhënë popullit të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kjo lëvizje.

Vetëvendosje ka akuzuar partitë në pushtet se “e kanë vjedhur votën e popullit të Kosovës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre për interesave të një pakice njerëzish si dhe kanë privatizuar pushtetin për interesa të tyre personale".

Në komunikatën për media, Vetëvendosje thekson se “Kosova si shtet sovran do të duhej t'i kishte institucionet që do ta garantonin votën e lirë.

“Në mungesë të këtyre institucioneve dhe pavarësisë së tyre, Kodi i Mirësjelljes e humb kuptimin etik që i mveshet në titull dhe shndërrohet në dokument propagandistik që i shërben pushtetit për t'i maskuar abuzimet e tij. Ne nuk do ta ndihmojmë pushtetin e këtyre politikanëve që të maskohet, por do të bëjmë çmos që ta demaskojmë atë”, thekson Vetëvendosje.
XS
SM
MD
LG