Ndërlidhjet

Serbët e veriut sërish kundër zgjedhjeve


Mitrovicë
Mitrovicë
Serbët në veri, ndryshe nga bashkëkombësit e tyre në Kosovën qendrore, kanë paralajmëruar se do t’i bojkotojnë zgjedhjet parlamentare, që organizohen nga institucionet kosovare më 12 dhjetor.

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, siç kanë thënë ata, do ta legjitimonte shtetin e Kosovës. Por, vargu i incidenteve që kanë ndodhur kohët e fundit në veri, shtron dilemat nëse ato sulme kanë qenë të motivuara politikisht dhe nëse serbët e veriut po iu nënshtrohen presioneve, për shkak të pjesëmarrjes së tyre eventuale në zgjedhjet e Kosovës.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën, në kuadër të Qeverisë së Serbisë, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ekzistojnë presione të tilla ndaj serbëve.
...në veri njerëzit nuk kanë interes që të kyçen në institucionet e Kosovës.

“Atmosfera në veri është paksa më ndryshe se në pjesët tjera të Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se ka kërcënime. Thjesht, në veri njerëzit nuk kanë interes që të kyçen në institucionet e Kosovës”.

“Një gjë e tillë, para së gjithash, është e motivuar nga qëndrimi i Qeverisë (së Serbisë), por njëkohësisht edhe nga animoziteti që kanë ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat shumë shpesh, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, përpiqen ta okupojnë veriun”,
tha Ivanoviq.

Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale - parti serbe kjo, e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit - kritikoi misionin evropian EULEX, duke thënë se pjesëtarët e tij nuk kanë arritur të krijojnë ambient të sigurt për qytetarët serbë në veri të Kosovës, të cilët eventualisht do të dilnin në zgjedhje.

“Ekzistojnë njerëz që kanë dëshirë dhe vullnet që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, por nuk e di se sa është numri i tyre. E di se pjesëmarrja në zgjedhje në veri të Kosovës do të jetë më e dobët sesa në jug të vendit”.

“Ata që e kanë pasur përgjegjësinë më të madhe për të krijuar hapësirë dhe siguri, do të thotë pjesëtarët e EULEX-it, nuk e kanë bërë këtë”,
theksoi Petroviq.

Në anën tjetër, është Millan Ivanoviq, kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në veri të Kosovës, ai i cili në mënyrë kategorike mohoi mundësinë e kërcënimeve ndaj serbëve në veri, lidhur me pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.

“Nuk ka kurrfarë kërcënimesh ndaj serbëve të veriut të Kosovës, të cilët eventualisht do të donin të dilnin në zgjedhje. Unë mendoj se nuk ka serbë të tillë që e dëshirojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndoshta është vetëm një grusht njerëzish të paguar, që janë nën kontrollin e plotë të Prishtinës”, u shpreh ai.

Foto arkivi
Por, gazetari serb, Zhelko Tvërdishiq, tha se ekzistojnë lidhjet në mes të incidenteve në veri dhe angazhimit politik të disa serbëve në institucionet e Kosovës.

“Nëse e shikoni statistikën e incidenteve në veri të Kosovës, që nga muajt e verës e deri më tash, do të shihni se ka pasur mjaft situata me incidente dhe se ka pasur edhe viktima. Një gjë e tillë flet se caqet e sulmeve kanë qenë edhe disa njerëz, të cilët, në njëfarë mënyre, po përpiqen të merren me politikë dhe të cilët kanë pasur guxim që të hyjnë në institucionet e Kosovës”.

“Kjo është porosi e qartë për ata njerëz që e dëshirojnë integrimin në shoqërinë kosovare, si dhe për të tjerët që në të ardhmen mund ta kenë dëshirën e njëjtë”,
tha Tvërdishiq.

Ndërkaq, Mitar Marinkoviq, qytetar serb nga veriu i Mitrovicës, nuk beson se mund të ketë presione ndaj qytetarëve për të mos dalë në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Besoj se këtu, në veri të Kosovës, njerëzit janë të bashkuar dhe askush nga ne nuk mendon që të dalë në ato zgjedhje. Mendoj se nuk është patriotike që të dilet në ato zgjedhje. Nuk besoj dhe nuk kam dëgjuar se dikush ka bërë presion në dikë tjetër, që të dalë ose të mos dalë në zgjedhje”, tha Marinkoviq.

Jovan Dimiq, qytetar serb nga Lipjani, i cili përkohësisht është duke punuar në veriun e Mitrovicës, tha se i përkrah serbët e Kosovës qendrore, të cilët kanë vendosur të dalin në zgjedhje.

“Unë nuk i gjykoj ata njerëz, sepse ata atje nuk kanë punë (në Kosovën qendrore). Po të kishte punë, do të mbetesha edhe unë atje dhe nuk do të vija këtu në Mitrovicë”, u shpreh Dimiq.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tashmë janë lajmëruar 29 subjekte politike dhe lista qytetare që do të garojnë për zgjedhjet e 12 dhjetorit. Në mesin e tyre gjenden 6 parti dhe 2 iniciativa qytetare serbe.

Lexoni edhe këto:
Zgjedhjet në veri janë të mundshme?
Beogradi s'i thërret serbët të dalin në zgjedhje
XS
SM
MD
LG