Ndërlidhjet

Shala: Korrupsioni në rritje, liria e shprehjes në rënie


Blerim Shala

Blerim Shala

"Me Qeverinë Thaçi dhe dështimet e saj është marrë edhe bashkësia ndërkombëtare. I keni parë përmbajtjet e raporteve të fundit. Korrupsioni është rritur, liria e shprehjes është kufizuar, nuk ka investime nga jashtë", thotë për Radion Evropa e Lirë Blerim Shala, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, Kosova tashmë ka hyrë në ethet e saj zgjedhore. Deri më tash, ky proces është karakterizuar me aderime të shumta, koalicione parazgjedhore, kërcime nga njëra parti në tjetrën... Si e shihni ju këtë fenomen?

BLERIM SHALA
Parimisht, për shkak të pragut zgjedhor (5 për qind), i cili u instalua në vitin 2007 dhe i tillë ka mbetur edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është e paimagjinueshme që partitë e vogla ta arrijnë atë.

Prandaj, është krejtësisht e kuptueshme që ato kanë supozuar se varianti i vetëm për të hyrë në Kuvendin e Kosovës, është që të inkuadrohen në listat e partive të mëdha. Kushtimisht them të mëdha, sepse nuk dua të përbuz askënd – kjo është skena politike e Kosovës.

Sa u përket individëve të caktuar që kanë ndërruar anë – mendoj se zhvillimet politike në tre vjetët e fundit e kanë profilizuar shumë skenën politike të vendit – me suguri se ata e ndjejnë veten më mirë në partitë apo koalicionet ku kanë aderuar, andaj nuk do t’i jepja shumë peshë gjithë këtij procesi.

Është një rirreshtim i forcave politike para zgjedhjeve, gjë që është normale. Është një përpjekje për të krijuar një kualitet të ri politik dhe jam i bindur se gara zgjedhore do ta bëjë një gjë të tillë. Pra, do të kemi një cilësi më të mirë në Kuvendin e Kosovës tash e tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Kemi të bëjmë me profilizim të partive politike apo thjesht oferta zgjedhore?

BLERIM SHALA
Në rastin tonë - nëse kam të drejtë të flas për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, sepse nuk dua t’ia jap vetes të drejtën të flas për partitë tjera - është ekskluzivisht profilizim i partisë.

Te ne kanë ardhur dy deputetët më të zëshëm, më kritikë të Kuvendit të Kosovës, Naim Rrustemi dhe Driton Tali. Sikur Aleanca të mos ishte kritike ndaj Qeverisë së Kosovës, ata me siguri nuk do të aderonin.

Ka ardhur Rexhep Gjergji, një emër shumë i njohur i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga vitet ’90. Së fundmi, siç e dini, pos Partisë Demokristiane dhe disa të tjerave, ka ardhur dhe Lista Dr Ibrahim Rugova, për shkak të afërsisë konceptuale, për shkak të një kujtese të një koalicioni shumë të mirë, që ishte lidhur në vitin 2004 midis presidentit Rugova dhe kryeministrit Haradinaj.

Pra, të gjitha këto na kanë bashkuar me një synim të përbashkët, që të dalim sa më mirë në zgjedhje. Ne jemi të bindur se kjo është lista e fitores. Kështu edhe po e quajmë, meqë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo listë mund të dalë fituese.

RADIO EVROPA E LIRË
Qysh tash, fjalori zgjedhor midis partive politike ka filluar të tingëllojë më i ashpër – gjë që deri më tash nuk ka qenë shumë e sprovuar në Kosovë. Ju, si mendoni?

BLERIM SHALA
Mos harroni se këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ne e dimë se Kuvendi dhe Qeveria që kanë qenë në fuqi, janë përzgjedhur në nëntorin e vitit 2007, përpara se Kosova të bëhej shtet, në rrethana dramatikisht të ndryshme krahasuar me këto të sivjetmet, kur synimi i të gjithë neve ishte që Kosova, sa më parë, ta definonte statusin e saj – të bëhej shtet.

Tash jemi shtet. Interesi politik i partive dhe i qytetarëve të Kosovës ka ndyrshuar. Askush më nuk mund të justifikojë punën, mospunën, sukseset apo dështimet e veta në mosarritjen e shtetit të Kosovës.

Jemi bërë shtet, duhet shikuar hesapet secili prej nesh si qytetarë, si politikanë; duhet parë se cila parti mund ta çojë Kosovën përpara dhe mund ta çojë çdo individ e çdo familje përpara, sepse jeta normale për secilin prej nesh është synimi kryesor i çdo partie politike, i çdo politikani, i çdo qytetari.

Aktualisht, nuk po shoh se ka fjalor shumë të ashpër, por po supozoj se gjatë fushatës do të ketë fjalor edhe më të ashpër. Ne si parti synojmë që të mos merremi më me Qeverinë Thaçi, sidomos jo gjatë fushatës. Jemi marrë mjaft në vitet e kaluara.

Fatkeqësisht, me Qeverinë Thaçi dhe dështimet e saj është marrë edhe më shumë bashkësia ndërkombëtare. I keni parë fare mirë përmbajtjet e raporteve të fundit.

Nuk po na shkruhet mirë situata në bazë të këtyre raporteve. Korrupsioni është rritur, liria e shprehjes është kufizuar, nuk ka investime nga jashtë, nuk kemi strategji për liberalizimin e vizave – kemi një mori lajmesh të këqija që janë problem për të gjithë ne.

Pra, mendoj se të gjitha partitë duhet të fokusohen në një temë të vetme – si të jetohet më mirë në Kosovë apo si t’i akomodojmë nevojat e çdo qytetari dhe si të mundësojmë që Kosova të ecë sa më shpejt në drejtim të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, cilësia e zgjedhjeve më 12 dhjetor është ngritur si çështje nga disa subjekte politike. Çfarë qëndrimi ka partia juaj në këtë rrafsh?

BLERIM SHALA
Ne të gjithë së bashku besoj se kemi të drejtë t’i ngrejmë shqetësimet tona, sepse për herë të parë po mbajmë zgjedhje të jashtëzakonshme. Është një ushtrim i demokracisë shumë i veçantë.

Nuk funksionon një shoqëri në mënyrë të njëjtë si kur funksionon normalisht, si kur funksionon në rrethana të jashtëzakonshme. Ne këtë e dimë fare mirë.

Por, shpresoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë i gatshëm – kjo është kryesorja. Pastaj, duhet shpresuar që t’i kemi së paku disa qindra vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët do ta kualifikojnë cilësinë e zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Por, mbi të gjitha, t’ju them fare hapur, obligimi për zgjedhjet e lira dhe demokratike u takon partive politike. Nëse partitë politike, ne së bashku do të zotohemi si duhet që do të funksionojmë në dobi të qytetarëve dhe do të kemi zgjedhje të lira e demokratike, atëherë me siguri se gjasat do të jenë shumë të mëdha që të kemi zgjedhje të tilla.

Mendoj, dhe e kam thënë disa herë deri më tash, se po qe se bëhet një gabim në përkthimin e votës së vullnetit të qytetarëve në qeverisje apo nëse ka keqinterpretim, mashtrim, falsifikim të vullnetit të popullit, atëherë do të kemi një qeverisje që nuk e përfaqëson popullin, do të kemi një situatë shumë të tenisonuar.

Ndërsa, më së paku që i duhet Kosovës në dimrin 2010-2011 është një qeveri jostabile, fitorja elektorale e së cilës është e kontestuar prej shumicës së partive politike.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG