Ndërlidhjet

logo-print

IHT: Rasti i mburojës raketore të NATO-s


Bruksel

Bruksel

“International Herald Tribune”


Kur 28 vendet aleate të takohen të premten në Lisbonë, një nga çështjet më të rëndësishme në agjendë do të jetë shqyrtimi i rrezikut real dhe në rritje në rajonin trans-atlantik: përhapja e armëve për shkatërrim në masë dhe mjetet e shpërndarjes.

Aktualisht, NATO-ja ballafaqohet me ambient sigurie si asnjëherë në historinë e saj. Kërcënimi i një konflikti të madh konvencional në Evropë – shqetësim për të cilin NATO-ja është themeluar – praktikisht është zhdukur.

Agjenda e viteve ‘90, që kishte të bënte me shtrirjen e parimeve të demokracisë, lirive individuale dhe sundimit të ligjit në gjithë Evropën, është larg realizimit përfundimtar, por është në rrugë të drejtë.

Tash, forcat e globalizimit kanë sjellë sfida të reja sigurie për hapësirën veriatlantike. Më akut është kërcënimi me armët për shkatërrim në masë përmes raketave balistike.

Sistemet e raketave balistike janë duke u bërë me fleksibile, mobile dhe më të sakta. Shtrirja e tyre është duke u shtuar, duke vënë popullatën dhe territorin e rajonit të Atlantikut në rrezik të shtuar.

Njëkohësisht, disa shtete janë duke çuar përpara projektet e disponimit të kokave bërthamore, kimike dhe biologjike.

Diplomacia paraqet vijën e parë të mbrojtjes nga këto rreziqe, por ajo nuk mjafton. Ajo duhet të plotësohet nga kapacitetet kredibile dhe të kushtueshme, në mbrojtje nga raketat balistike. Shi për këtë, Shtetet e Bashkuara kanë propozuar që në Lisbonë, liderët e Aleancës të miratojnë mburojën raketore territoriale si kapacitet i NATO-s.

Synimi është që ky sistem mbrojtës t’i mbulojë të gjitha vendet anëtare të NATO-s në Evropë, ndërsa barrën më të madhe do ta bartnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky sistem me efektivitet do t’i mbronte aleatët evropianë, përkatësisht popullatën dhe territoret e tyre nga sulmet raketore.

Në Lisbonë, liderët ballafaqohen me miratimin e shumë vendimeve të rëndësishme për rolin global të sigurisë së NATO-s.

Ata do të mbështeten në vlerat e përbashkëta dhe zotimet për ta përgatitur NATO-n për kohët bashkëkohëse. Një nga këto vendime do të jetë edhe thënia “PO” e aleatëve për mburojën raketore territoriale. (m.k.)
XS
SM
MD
LG