Ndërlidhjet

Suficit apo deficit?!


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova sivjet rrezikohet nga deficiti buxhetor, paralajmërojnë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje, ndërsa njohësit e çështjeve ekonomike e thonë të kundërtën. Sipas tyre, buxheti do të përballet me suficit, për shkak se ekzekutivi i vendit nuk ka realizuar projektet kapitale.


Zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje tërheqin vërejtjen se Kosova, sivjet, mund të përballet me deficit buxhetor.

Selim Thaçi, drejtor i Departamentit të makro-ekonimisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, thotë se të hyrat e përgjithshme pritet të jenë mbi 1 miliard e 100 milionë euro, përderisa shpenzimet, sipas tij, do ta kalojnë shifrën prej 1 miliard e 300 milionë eurosh. Deficiti buxhetor për këtë vit pritet të jetë rreth 178 milionë euro.
Është një deficit, i cili ka qenë i planifikuar edhe në fillim të këtij
viti.


“Është një deficit, i cili ka qenë i planifikuar edhe në fillim të këtij viti. Por, pavarësisht tij, në saje të mbështetjeve nga donatorët dhe bilancit të akumuluar bankar nga vitet e kaluara, rezerva buxhetore në fund të këtij viti do të jetë në nivelin 248 milionë euro. Kjo rezervë është e planifikuar edhe në marrëveshjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pra, gjithçka është në harmoni me këtë marrëveshje”, thotë Thaçi.

Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se buxheti i Kosovës nuk do të përballet me deficit. Sipas Muhamet Sadikut, edhe këtë vit mund të ketë suficit apo tepricë të mjeteve të pashpenzuara financiare. Sadiku thotë se kjo ndodh për shkak se Qeveria, tashmë në dorëheqje, nuk i ka realizuar në mënyrë efikase projektet kapitale.
...kemi bartje, por kemi edhe suficit të krijuar gjatë këtij viti, sepse raporti 9 mujor tregon se kemi ngecje të konsiderueshme në realizimin e investimeve publike.


“Edhe këtë vit, buxheti i Kosovës do të përballet me problemin e suficitit. Vazhdon edhe paraqitja e mjeteve të pashpenzuara nga vitet e kaluara. Do të thotë, kemi bartje, por kemi edhe suficit të krijuar gjatë këtij viti, sepse raporti nëntëmujor tregon se kemi ngecje të konsiderueshme në realizimin e investimeve publike”
, thekson Sadiku.

Në bazë të raportit nëntëmujor të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, 58 për qind e planit të përgjithshëm të buxhetit është shpenzuar për këtë periudhë, ndërsa 45 për qind është shpenzuar për investime kapitale.

Edhe Labeat Mustafa, nga Instituti i Financave të Kosovës, shpreh bindjen se buxheti i vendit këtë vit do të përballet me suficit.

“Ky suficit mund të jetë për shkak të rritjes më të madhe të të ardhurave apo pranimeve, në krahasim me shpenzimet, edhe pse me planifikimin e buxhetit të këtij viti, shpenzimet kanë qenë të parapara të jenë më të mëdha sesa të ardhurat”, pohon Mustafa.

Ndërkaq, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Prishtinë nuk i shqetëson shumë fakti i suficitit apo deficitit buxhetor.

Ata shfaqin dyshime për keqpërdorime të parasë publike gjatë kësaj periudhe, pasi, sipas tyre, ka mbetur përqindje e madhe e buxhetit që të shpenzohet në tremujorin e fundit të vitit fiskal.

Avni Zogiani, udhëheqës i organizatës antikorrupsion “Çohu”, thotë se situata e krijuar politike vetëm se e ka shtuar mundësinë e keqpërdorimeve të buxhetit.

Megjithatë, ai nuk beson se do të ketë suficit buxhetor, porse deficit serioz financiar.
...nuk besoj se do të ketë suficit, por do të ketë deficit serioz në disa vitet të ardhshme.


“Nuk besoj se do të ketë suficit, sepse kushdo që e lexon Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, kupton se Qeveria ka planifikuar që gjithçka që ka, ta hedhë në llogarinë e kompanisë që është duke u marrë me ndërtimin e autostradës Merdar - Morinë. Kështu që, nuk besoj se do të ketë suficit, por do të ketë deficit serioz në disa vitet të ardhshme
”, shprehet Zogiani.

Buxheti i Kosovës ka vite që përballet me suficit. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe vitin e kaluar, me një tepricë financiare rreth 160 milionë euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar disa herë i ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Kosovës për keqmenaxhim të parasë publike.
XS
SM
MD
LG