Ndërlidhjet

logo-print

Çështje teknike apo politike?


Pamje në Prishtinë...

Pamje në Prishtinë...

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës janë optimistë se në procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, proces ky që pritet të bëhet në pranverën e vitit 2011, do të marrin pjesë edhe banorët serbët e sidomos ata të veriut të Kosovës.

Ministrja në dorëheqje e Administratës Publike, Edita Tahiri, thotë se procesi i regjistrimit do të jetë një ngjarje historike për vendin.

Tahiri thotë se tashmë janë në përfundim të përgatitjeve teknike për këtë proces.

“Regjistrimi i popullsisë është një ngjarje historike për vendin, sepse për herë të parë pas tridhjetë vjetësh, vendi ynë do t’i ketë të dhënat zyrtare mbi popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat. Regjistrimi do të mbahet në pranverën e vitit të ardhshëm prej 1 deri më 15 prill”,
thotë Tahiri.

Edhe, kryeshefi i Entit Statistikor të Kosovës, Nait Vrenezi, pohon se tashmë janë krijuar të gjitha parakushtet ligjore që procesi i regjistrimit të realizohet në fillim të muajit prill të vitit të ardhshëm.

“Në Ent, janë të kryera të gjitha metodologjitë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jemi duke e pajisur Entin Statistikor me resurse të nevojshme teknologjie, në mënyrë që të dhënat mund të mblidhen analizohen dhe të ruhen. Me aprovimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë janë krijuar kushtet ligjore për këtë proces”
, shprehet Vrenezi.

Por, ministrja në dorëheqje, Edita Tahiri, përmend edhe sfidat që mund ta përcjellin këtë proces. Në këtë kuadër, ajo thotë se sfidë mbetet bindja e banorëve serbë të pjesës veriore të Mitrovicës, që të përfshihen në këtë projekt.

Megjithatë, ministrja Tahiri thotë se institucionet kosovare me faktorin ndërkombëtar janë duke i bërë thirrje Beogradit zyrtar që të mos e pengojë pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces.

“Mund t’ju them se ne, së bashku, me partnerët ndërkombëtarë, veçmas me Komisionin Evropian, po punojmë që të ndikohet te Beogradi zyrtar që të mos bëhet pengesë për serbët e kësaj pjese, pra të veriut, jo vetëm në procesin e regjistrimit, por edhe në procesin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës”,
thekson Tahiri.

Ndryshe, procesin e regjistrimin e mbështet edhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë. Kjartan Bjornson, shef i sektorit të operacioneve të kësaj zyre, thekson se regjistrimi i popullsisë për kosovarët është shumë i rëndësishëm.

Bjornson thotë se pas këtij procesi, institucionet e Kosovës do ta kenë më të lehtë planifikimin e veprimeve të tyre në shumë aspekte.

“Ne duhet të fokusohemi në atë që edhe serbët të kontribuojnë në procesin e regjistrimin si ata në jug, ashtu edhe në veri. Ne, ende kemi kohë që të sigurojmë një gjë të tillë. Është e rëndësishme që të binden të gjithë që kjo është një çështje teknike dhe jo politike. Të dhënat e mbledhura nga regjistrimi i popullsisë do ta përmirësojnë disponueshmërinë e të dhënave në gjithë Kosovës për politikat dhe qëllimet e planifikimit”.

“Pasi që regjistrimi i popullsisë nuk është bërë në Kosovë për 30 vjet, supozoj se kur i diskutojmë gjërat bazike, të gjithë do të pajtohen se kjo është në interesin e tyre - të mos pengojnë një zbatim të suksesshëm të regjistrimit në Kosovë përgjatë prillit të 2011-ës”,
nënvizon Bjornson.

Kostoja e regjistrimit të popullsisë vlerësohet të jetë mbi 10 milionë euro. Deri më tash, Qeveria ka ndarë 3.9 milionë euro, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, 2.5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër pritet të sigurohet nga donacionet.

Data e regjistrimit të popullsisë në Kosovës përkon edhe me regjistrimin e popullsisë së vendeve në rajon.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG