Ndërlidhjet

Reporterët pa Kufij e mbështesin gazetaren Sebahate Shala



Organizata për mbrojtjen e gazetarëve “Reporterët pa Kufij” i ka dënuar kërcënimet dhe trajtimin ndaj gazetares së agjencisë KosovaPress, Sebahate Shala, e cila ka ngritur një çështje të ndjeshme për Partinë Demokratike të Kosovës në konferencën për shtyp me zëvendës shefin e EULEX-it, Endi Sparks.

Shala ka pyetur nëse është normale që dy anëtarë të PDK-së, të cilët po hetohen nga EULEX-i nën dyshimet për korrupcion dhe vrasje, duhet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Sparks është përgjigjur se kjo nuk do të ishte “mirë për imazhin e Kosovës”, thuhet në reagim.

“Reagimi i udhëheqësisë së KosovaPress-it është i paimagjinueshëm dhe i pavlefshëm për një profesion, në të cilin solidariteti duhet të jetë rregull. Pyetjet e Shalës ishin të arsyeeshme dhe me interes publik. Trajtimi i saj nga agjencia ishte krejtësisht i padëshirueshëm dhe qartësisht i motivuar nga konsiderata jo gazetareske. Ne i bëjmë thirrje drejtuesve të KosovaPress-it që menjëherë ta kthejnë atë në agjenci dhe t’i mbështesin gazetarët kur ata kërcënohen në këtë mënyrë”, thotë organizata.

“Reporterët pa Kufij” thonë se rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi lirinë e gazetarëve në mediat private dhe shtetërore gjatë mbulimit të fushatës për zgjedhjet në dhjetor.

Udhëheqësia e PDK-së dhe qeveria në largim e kryeministrit Hashim Thaçi duhet publikisht ta shprehin mbështetjen e tyre për Shalën dhe t’i dënojnë kërcënimet. Duhet të hapen hetime me qëllim të identifikimit të personave përgjegjës për mesazhet SMS dhe të sigurohet që ata të ndëshkohen rëndë, thuhet në njoftim.

“Reporterët pa Kufij” u bëjnë thirrje të gjitha organizmave ndërkombëtare në Prishtinë që ta shprehin mbështetjen e tyre për Shalën, dhe t’ua paraqesin shqetësimet e tyre autoriteteve kosovare.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian Piter Kornelis Feith nuk mund të lejojë që gazetarët të kërcënohen dhe të sanksionohen për shkak se i mbulojnë aktivitetet e EULEX-it në mënyrë profesionale dhe për shkak se bëjnë raportime investigative.

“Ne plotësisht e mbështesim Shalën, e cila çuditërisht është dënuar për sjelljen profesionale, e cila paraqet vetë themelin e gazetarisë, dhe në Kosovë duhet të mirëpritet sepse është më e nevojshme se kurrë”, thanë “Reporterët pa Kufij”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha mediave kosovare t’a shprehin mbështetjen e tyre duke i ngritur çështjet që ajo i aktualizoi sa më shumë të jetë e mundur me autotitetet kosovare dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e “Reporterëve pa Kufij”.
XS
SM
MD
LG