Ndërlidhjet

Kosova kryeson CEFTA-n


Vendet anëtare të CEFTA-s
Vendet anëtare të CEFTA-s
Kosova nuk do të dështojë të kryesojë CEFTA-n. Ky projekt rajonal që nga janari i vitit të ardhshëm do të menaxhohet nga institucionet kosovare, thonë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje. Por, sipas tyre, kryesimi do të bëhet pa simbole shtetërore të vendeve anëtare të CEFTA-s.


Pavarësisht zhvillimeve të fundit në skenën politike në vend, Kosova nuk do të humbë kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore - CEFTA, thonë autoritete përgjegjëse, sipas të cilëve, menaxhimi do të ndodhë, por pa simbole shtetërore të vendeve anëtare të CEFTA-s.

Më një janar të vitit 2011, Serbia, e cila sivjet ka udhëhequr me këtë mekanizëm, do të ia kalojë kryesimin Kosovës, pasi vendi anëtar për të kryesuar me radhë këtë projekt është Kosova.

Kryesimi i këtij mekanizimi bëhet sipas radhitjes alfabetike.

Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, lidhur me këtë thotë se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ta kryesuar këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Keqa, i cili në fund të javës se kaluar është kthyer nga Beogradi, ku ka qenë pjesëmarrës në takimin e ministrave të shteteve anëtare të CEFTA-s, thotë se në këto takime është diskutuar edhe kryesimi i radhës, si dhe ka treguar gatishmërinë e institucioneve kosovare për ta menaxhuar këtë projekt rajonal.

“Pa dyshim, për momentin po them, se në aspektin politik Kosova nga një janari është kryesuese e CEFTA-s. Dhe, ne, po ashtu, përpos përgatitjeve të deritashme, jemi duke zhvilluar edhe përgatitjet më konkrete dhe analitike sa i përket kryesimit të CEFTA-s dhe organizimit të një varg takimesh që do të mbahen gjatë vitit 2011”
, thotë Keqa.

Keqa, ndërkaq shton se autoritetet kompetente tashmë kanë përgatitur programin për të kryesuar me CEFTA-n, i cili, sipas tij, është aprovuar nga të gjitha shtete anëtare të këtij mekanizimi. Por, kjo çështje në aspektin politik, thotë Keqa, ende nuk është finalizuar.
...një nga modalitetet është ai i mosvendosjes së simboleve të ndryshme të asnjë shteti.


“Për modalitetet më konkretisht duhet të vendosë aspekti politik, mirëpo një nga modalitetet është ai i mosvendosjes së simboleve të ndryshme të asnjë shteti. Por, sidoqoftë, kryesimi do të bëhet nga përfaqësuesi i Kosovës”,
shpjegon Keqa.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se gjendja aktuale politike, mund të ndikojnë në kryesimin e CEFTA-s.

Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thekson se, pavarësisht zhvillimeve politike në vend, autoritetet kompetente nuk duhet të humbin rastin për udhëheqjen e këtij mekanizimi.

“Ndikimet tjera që mund të pretendojnë se Kosova nuk ka një stabilitet politik për momentin në mungesë të një Qeverie, sidomos në muajit e parë të vitit të ardhshëm mund të ndikojnë në rrezikimin e CEFTA-s. Por, shpresoj se të gjitha këto nuk do të merren parasysh dhe Kosova do ta marrë kryesimin e CEFTA-s”, thekson Musa.

Sidoqoftë, Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e CEFTA-s në korrik të vitit 2007, e cila në atë kohë ishte nënshkruar nga ish-shefi i UNMIK-ut.

Por, që nga dhjetori i vitit 2008, Serbia dhe Bosnja kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave të doganave nga të UNMIK-ut në ato të Republikës se Kosovës.
XS
SM
MD
LG