Ndërlidhjet

Mbështetje për gazetaren Sebahate Shala

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Organizata për mbrojtjen e gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, dënon kërcënimet dhe trajtimin ndaj gazetares së agjencisë Kosova Press, Sebahate Shala, e cila ka ngritur një çështje të ndjeshme për Partinë Demokratike të Kosovës në konferencën për shtyp me zëvendësshefin e EULEX-it, Endi Sparks.

Shala ka pyetur nëse është normale që dy anëtarë të PDK-së, të cilët po hetohen nga EULEX-i nën dyshimet për korrupsion dhe vrasje, duhet të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.

Sparks është përgjigjur se kjo nuk do të ishte “mirë për imazhin e Kosovës”, thuhet në reagim.

“Reagimi i udhëheqësisë së Kosova Press-it është i paimagjinueshëm dhe i pavlefshëm për një profesion, në të cilin solidariteti duhet të jetë rregull. Pyetjet e Shalës ishin të arsyeshme dhe me interes publik”.

“Trajtimi i saj nga agjencia ishte krejtësisht i padëshirueshëm dhe qartësisht i motivuar nga konsiderata jo gazetareske. Ne u bëjmë thirrje drejtuesve të KosovaPress-it që menjëherë ta kthejnë atë në agjenci dhe t’i mbështesin gazetarët kur ata kërcënohen në këtë mënyrë”,
thotë organizata.

“Reporterët pa Kufij” thonë se rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi lirinë e gazetarëve në mediat private dhe shtetërore gjatë mbulimit të fushatës për zgjedhjet në dhjetor.

Udhëheqësia e PDK-së dhe Qeveria në largim e kryeministrit Hashim Thaçi duhet publikisht ta shprehin mbështetjen e tyre për Shalën dhe t’i dënojnë kërcënimet.

Duhet të hapen hetime me qëllim të identifikimit të personave përgjegjës për mesazhet SMS dhe të sigurohet që ata të ndëshkohen rëndë, thuhet në njoftim.

“Reporterët pa Kufij” u bëjnë thirrje të gjitha organizmave ndërkombëtare në Prishtinë që ta shprehin mbështetjen e tyre për Shalën dhe t’ua paraqesin shqetësimet e tyre autoriteteve kosovare.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Piter Kornelis Feith, nuk mund të lejojë që gazetarët të kërcënohen dhe të sanksionohen për shkak se i mbulojnë aktivitetet e EULEX-it në mënyrë profesionale dhe për shkak se bëjnë raportime investiguese.

“Ne plotësisht e mbështesim Shalën, e cila çuditërisht është dënuar për sjelljen profesionale, e cila paraqet vetë themelin e gazetarisë dhe në Kosovë duhet të mirëpritet, sepse është më e nevojshme se kurrë”,
thanë “Reporterët pa Kufij”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha mediave kosovare ta shprehin mbështetjen e tyre duke i ngritur çështjet që ajo i aktualizoi sa më shumë të jetë e mundur me autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e “Reporterëve pa Kufij”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG