Ndërlidhjet

logo-print

Premtimet e partive pas pavarësisë...


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Votuesit potencialë kosovarë do të kenë mjaft arsye për t’iu drejtuar kutive të votimit më 12 dhjetor, vlerësojnë disa analistë politikë në Kosovë. Ndërsa, të tjerët thonë se është zbehur besimi i qytetarëve në efektin e votës së tyre dhe se programet partiake për fushatën elektorale duhet të përqendrohen në jetësimin e premtimeve të parealizuara nga qeveria e fundit.


Partitë politike dhe autoritetet ndërkombëtare kanë nisur t’i bëjnë thirrje elektoratit kosovar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 12 dhjetor në Kosovë.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale vitin e shkuar, muajin e ardhshëm Kosova do të nisë procesin e dytë zgjedhor që pas shpalljes së shtetësisë në shkurt të 2008-ës, proces ky, realizimi i të cilit figuronte në krye të planeve vëllimore partiake që zunë vend në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2007-ës.

Partitë kosovare thuhet se kanë nisur përgatitjen e programet për fushatën elektorale që zyrtarisht do të nisë më 2 dhjetor.

Kryeredaktori i së përditshmes “Epoka e Re”, Muhamet Mavraj, thotë se pas shpalljes së shtetësisë së vendit, subjektet politike që do të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duhet të nxisin daljen e votuesve në zgjedhje, duke premtuar kryesisht integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
E kam fjalën këtu për integrimet evropiane, integrimin në NATO dhe para të dyja këtyre - liberalizimin e vizave që, gjithashtu, mund të shfrytëzohet si premtim elektoral.


“E kam fjalën këtu për integrimet evropiane, integrimin në NATO dhe para të dyja këtyre - liberalizimin e vizave që, gjithashtu, mund të shfrytëzohet si premtim elektoral. Njëkohësisht, i tërë Raporti i Progresit mund të inkorporohet dhe të bëhet program partiak”
, shprehet Mavraj.

Karshi zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe projektit për integrime-euroatlantike, gjatë fushatës elektorale të 2007-ës, partitë qenë zotuar se në rast të fitores, do ta zhvillonin vendin ekonomikisht, se do të zbusnin papunësinë dhe varfërinë, e të tjera.

Mirëpo, të dhënat e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare flasin për një shkallë të papunësisë prej rreth 40 për qind në Kosovë, për 45 për qind të njerëzve që jetojnë në varfëri, dhe 15 për qind në varfëri të skajshme.

Analisti Behlul Beqaj thotë se partitë politike tani duhet të fokusohen në përmbushjen e premtimeve të parealizuara nga koalicioni i kaluar qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
...duhet të japin përgjigje se si të rritet numri i të punësuarve, të jepet përgjigje për të uriturit dhe së treti, të jepet një përgjigje jetike se ç’po ndodh me drejtësinë.


“Nëse partitë politike dëshirojnë t’i animojnë më tepër votuesit, do të duhej në mënyrë konkrete të jepnin përgjigje për këto tri pyetje, të cilat kanë munguar në periudhën e kaluar”.

“Pra, duhet të japin përgjigje se si të rritet numri i të punësuarve, të jepet përgjigje për të uriturit dhe së treti, të jepet një përgjigje jetike se ç’po ndodh me drejtësinë
”, vlerëson Beqaj, për të shtuar se premtimet e parealizuara nga Qeveria e kaluar, po ndikojnë në zbehjen e vullnetit të qytetarëve për të dalë në zgjedhje.

“Një motiv i premtimeve të pabazuara të partive, të cilat janë aktorët kryesorë të kësaj gjendjeje, po i demoralizon edhe ata që potencialisht mendojnë se eventualisht mund të bëhet ndonjë ndryshim”, thekson Beqaj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 2007-ës ishte diku mbi 40 për qind, shifër e ngjashme me pjesëmarrjen e votuesve në procesin elektoral për zgjedhjet e fundit lokale.

Kësaj radhe për pjesëmarrje në garën elektorale kanë aplikuar 29 subjekte politike, prej të cilave tri parti të reja - “Fryma e Re”, Lista “LDK-Ibrahim Rugova” dhe lëvizja “Vetëvendosje”.

Mavraj shpreh bindjen se më 12 dhjetor mund të pritet një pjesëmarrje e qytetarëve në votime - e ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara.

“Unë pres përafërsisht atë numër që doli në zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe pres që numri i votuesve të rinj, për shkak të disa subjekteve që janë paraqitur në skenë, të jetë më i madh”,
thotë Mavraj.

Lexoni edhe këtë: Për ditë më të mira...
XS
SM
MD
LG