Ndërlidhjet

NYT: Evropa dhe Amerika, të bashkuara për të ardhmen


Portugali
Portugali
"New York Times"


Shkruan: Barak Obama, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
.

Samiti i NATO-s dhe takimet Shtetet e Bashkuara-Bashkimi Evropian, e pasqyrojnë të vërtetën e përhershme të politikës së jashtme amerikane, se marrëdhëniet tona me aleatët dhe partnerët tanë në Evropë janë gurthemel i angazhimit tonë në botë, nxitës i bashkëpunimit global.

Me asnjë rajon tjetër, Shtetet e Bashkuara nuk kanë aq vlera, interesa, aftësi dhe synime të përbashkëta. Marrëdhëniet trans-atlantike mbështesin miliona vende të punës në SHBA dhe Evropë, dhe formojnë themelin për rimëkëmbjen globale ekonomie.

Si aleancë e kombeve demokratike, NATO-ja e siguron mbrojtjen tonë kolektive dhe e ndihmon forcimin e demokracive të reja. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku për ta parandaluar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, për të promovuar paqen në Lindjen e Mesme dhe për t’u përballur me ndryshimet klimatike.

Përpjekjet e fundit për të hedhur në erë aeroplanët transatlantikë tregojnë se ne bashkëpunojmë ngushtë çdo ditë për të parandaluar sulmet terroriste dhe për t’i siguruar qytetarët tanë.

Thënë thjesht, me jemi partneri më i ngushtë i njëri-tjetrit. As Evropa dhe as Shtetet e Bashkuara nuk mund të konfrontohen me sfidat e kohës pa njëri-tjetrin.

Prandaj, këto samite janë një mundësi për ta thelluar bashkëpunimin edhe më tej, dhe për të siguruar se NATO-ja, aleanca më e suksesshme në historinë e njerëzimit, të mbetet po aq e rëndësishme në këtë shekull sa ishte në shekullin e kaluar.

Ne mund t’i bashkojmë përpjekjet tona për tranzicionin në Afganistan, megjithëse mbetemi të përkushtuar ndaj popullit afgan.

Koalicioni ynë në Afganistan i prirë nga NATO-ja, përbëhet nga 48 vende, përfshirë kontributet nga të gjitha 28 vendet anëtare dhe 40 mijë trupat nga vendet aleate dhe partnere, shërbimin dhe sakrificën e të cilave ne e nderojmë.

Përpjekja jonë e përbashkët është thelbësore që terroristëve të mos u lejojmë të kenë vendstrehime të sigurta, por edhe që t’i përmirësojmë jetët e afganëve.

Me arritjen e forcave shtesë të koalicionit në dy vitet e fundit, më në fund e kemi strategjinë dhe resurset për ta ndalur hovin e talibanëve, për t’i privuar kryengritësit nga vendstrehimet e tyre, për t’i trajnuar forcat afgane dhe për t’i ndihmuar popullit afgan.

Ne, gjithashtu, duhet të forcojmë një sërë kapacitetesh të nevojshme për t’i mbrojtur njerëzit tanë sot dhe për t’u përgatitur për misionet e nesërme.

Ndërsa po i modernizojmë forcat tona konvencionale, ne duhet t’a reformojmë strukturën komanduese të aleancës për ta bërë më efektive në mbrojtjen e territorit dhe njerëzve të Evropës, si dhe të forcave amerikane të stacionuara atje.

Përveç bashkëpunimit më të madh ndërmjet aleatëve, këtu ka mundësi për bashkëpunim edhe me Rusinë, e cila gjithashtu kërcënohet nga raketat balistike.

Përveç kësaj, ne mund të punojmë së bashku për t’i krijuar kushtet për reduktimin e arsenaleve bërthamore dhe për të ecur në drejtim të vizionit që e nënvizova në Pragë vitin e kaluar, një botë pa armë bërthamore.

Përderisa të ekzistojnë armët e tilla, NATO duhet të mbetet aleancë bërthamore, ndërsa unë e kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë arsenalin e sigurt bërthamor për të zmbrapsur çdo armik dhe për të garantuar mbrojtjen e aleatëve tanë.

Në Lisbonë ne mund të vazhdojmë ta farkojmë partneritetin përtej NATO-s, që është shtylla e sigurisë globale. Ne duhet t’i mbajmë hapur dyert për demokracitë e reja evropiane, të cilat i plotësojnë standardet për anëtarësim në NATO.

Ne duhet ta thellojmë bashkëpunimin me organizatat që e plotësojnë fuqinë e NATO-s, si Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Në Lisbonë, ne, gjithashtu, mund ta bëjmë të qartë se NATO e sheh Rusinë si partner, jo si kundërshtar. Ne mund ta thellojmë bashkëpunimin tonë në Afganistan, në luftën kundër narkotikëve dhe sfidat e shekullit XXI.

Për më shumë se gjashtë dekada, evropianët dhe amerikanët kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit në saje të punës së përbashkët për t’i çuar përpara interesat tona dhe për t’i mbrojtur liritë tona si shoqëri demokratike.

Derisa, bota ka ndryshuar, ashtu ka ndryshuar edhe aleanca jonë, dhe si pasojë, ne jemi më të sigurt dhe më prosperues. Ky është qëllimi ynë në Lisbonë, ta rivitalizojmë aleancën tonë edhe një herë, për siguri dhe prosperitet në dekadat që vijnë. (v.p.)

XS
SM
MD
LG