Ndërlidhjet

Vaksinat kundër gripit sezonal në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare mungojnë. Ndonëse ato janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë, brenda një kohe shumë të shkurtër janë shpenzuar, thonë qytetarët, të cilët nuk kanë arritur që të vaksinohen. Drita Kamberi, qytetare, tregon:

“Unë kam shkuar në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal, por vaksinat janë shpenzuar për një kohë shumë të shkurtër. Pastaj e kam blerë vaksinën në barnatore dhe e kam marrë, pasi që jam e rregullt dhe çdo vit vaksinohem”.


Ndërkaq, ka edhe të tillë që kanë arritur të vaksinohen. Vahide Berisha thotë se sapo ka dëgjuar që kanë arritur vaksinat, ka shkuar dhe ka pasur fatin ta marrë atë.

“Vaksinën kundër gripit sezonal e kam marrë me të njohur, se nuk ka pasur shanse, as mundësi, ta marr në Qendrën e Mjekësisë Familjare. E njoh drejtorin edhe e kam marrë”
, thotë Vahide Berisha.

Qendra Klinike Universitare e Prishtinës

Ndërkaq, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ky institucion, me gjithë shkurtimet buxhetore që ka pasur këtë vit, ka arritur që të blejë 20 mijë doza të vaksinave kundër gripit sezonal.

“Ministria e Shëndetësisë, përkundër shkurtimit buxhetor, ka arritur të ruajë nivelin e vaksinave kundër gripit sezonal ashtu si ka qenë edhe vitin e kaluar. Ka blerë 20 mijë vaksina kundër gripit, janë shpërndarë. dhe të njëjtat janë shpenzuar nga qytetarët. Numri prej 20 mijë vaksinash është i vogël, por është numër solid”
, bën të ditur Hoti.

Sipas Hotit, kategoritë që kanë përparësi për marrjen e vaksinës janë pleqtë, shtatzënat dhe fëmijët, mirëpo vaksinën e gripit kanë të drejtë ta marrin edhe grupmoshat tjera. Hoti shton se Ministria e Shëndetësisë do ta shqyrtojë mundësinë e blerjes edhe të vaksinave tjera, pasi që kërkesat janë mjaft të mëdha.

Në anën tjetër, Naser Ramadani, zyrtar në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se kërkesat nga ana e qytetarëve për vaksina kundër gripit sezonal janë tejet të mëdha, derisa vaksina nuk ka.

Sipas Ramadanit, tashmë është bërë bërë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë për blerjen edhe të disa dozave.

“Pasi që interesimi është shumë i madh, ne kemi vendosur sot që të bëjmë një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që të kemi vaksina. Problemi është buxhetor, Ministria e Shëndetësisë është e vullnetit të mirë të lejojë (blerjen), por duhet të ketë një buxhet të paplanifikuar ose buxhet shtesë në mënyrë që të blihen vaksina kundër gripit”
, përfundon Ramadani.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG