Ndërlidhjet

Hidrocentralet, burim i mjaftueshëm për energji


Termocentrali Kosova A

Termocentrali Kosova A

Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për prodhimin e energjisë alternative, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje, sipas të cilëve, një gjë e tillë mund të bëhet me ndërtimin hidrocentraleve të vogla. Lidhur me këtë, Ministria e Energjisë dhe Minierave, tashmë ka identifikuar 77 lokacione ku mund të ndërtohen këto hidrocentrale.


Qeveria në dorëheqje është e përkushtuar që të përmirësojë gjendjen e sektorit të energjisë dhe furnizimit me energji elektrike në vend, ka thënë Justina Shiroka-Pula, ministre në dorëheqje e Energjisë dhe Minierave.

Për të dalë nga gjendja e vështirë energjetike, zonja Shiroka Pula ka thënë se Kosova ka kapacitete për energji elektrike, duke u bazuar në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla

Në periudhën 2006-2010, Ministria e Energjisë dhe Minierave, ka zhvilluar hulumtime intensive në lidhje me vendndodhjen potenciale për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, ka thënë ministrja në dorëheqje, Shiroka-Pula, duke shtuar se tashmë kanë identifikuar 77 lokacione në tërë territorin e Kosovës.
Koncepti ynë në këtë proces është që të mundësohet tërheqja e investimeve private vendore apo të huaja...

“Koncepti ynë në këtë proces është që të mundësohet tërheqja e investimeve private vendore apo të huaja, por njëherësh të sigurohen të drejtat e koncesionuesit për prodhimin e energjisë nga uji, e cila është pronë e gjithë qytetarëve të Kosovës, të realizojmë të ardhura për buxhetin e Kosovës dhe buxhetin e komunave përkatëse”, ka thënë Shiroka-Pula.

Këto komente ministrja në dorëheqje, Shiroka-Pula, i ka bërë gjatë një konference me temën “Mundësitë për investime private në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Republikën e Kosovës”, në të cilën ka ftuar investitorët potencialë që të investojnë në këtë sektor.

Ajo ka theksuar se Qeveria në dorëheqje ka marrë vendim për të dhënë me koncesion, përmes procedurave të hapura, transparente e konkurruese, të drejtat ujore për prodhim të energjisë.

Ndërkaq, Ali Hamiti, udhëheqës i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ka thënë se legjislacioni për energjinë siguron kushte të favorshme për investitorët potencialë.

Sipas Hamitit, edhe në Strategjinë e rishikuar të energjisë, për periudhën 2009-2018, është paraparë ndërtimi i hidrocentraleve.

“Një favor i investitorëve që vijnë këtu është sepse do të ndeshen me një kuadër rregullator absolutisht modern dhe që është në harmoni me rregullativat evropiane, ku komuniteti i energjisë i Evropës juglindore pretendon të aderojë së shpejti”
, ka theksuar Hamiti.
Efekti i parë do të jetë zhvillimi i përgjithshëm ekonomik, pastaj rritja e sigurisë në furnizim me energji ...

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë, kanë thënë se investimi në këtë sektor do të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka shpjeguar efektet pozitive në ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

“Efekti i parë do të jetë zhvillimi i përgjithshëm ekonomik, pastaj rritja e sigurisë në furnizim me energji dhe ajo që është esenciale dhe një ndër kriteret kryesore është edhe mbrojtja e mjedisit apo aspekti ekologjik”,
është shprehur Gërxhaliu.

Ndryshe, në bazë të studimit të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, investimet totale për ndërtimin e hidrocentraleve kapin shumën 162.5 milionë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG