Ndërlidhjet

Emrat që shkatërrojnë themelet e shtetit ligjor


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kandidatët për deputetë me probleme me drejtësinë, po krijojnë modelin politik të njeriut, që nuk e përfill ligjin.



Futja e emrave në listat e votuesve të politikanëve që janë nën hetime, apo janë ballafaquar me organet e drejtësisë në Kosovë, do të ndikojë në imazhin e tyre te votuesit, e gjithashtu edhe në reputacionin e vetë partive politike ku ata veprojnë, vlerësojnë analistët politikë dhe sociologët në Prishtinë.

Ata konsiderojnë se kjo çështje do t’i dëmtojë kandidatët në fjalë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë moral.

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë:
... po krijojmë model politik me njeriun, i cili objektivisht nuk e përfill ligjin, nuk i nënshtrohet asnjë ligji, do të thotë në embrion po e shkatërron shtetin ligjor.


“Pasojat janë edhe politike, edhe morale. Unë po them se për brezat që vijnë dhe për qytetarin e Kosovës, po krijojmë model politik me njeriun, i cili objektivisht nuk e përfill ligjin, nuk i nënshtrohet asnjë ligji, do të thotë në embrion po e shkatërron shtetin ligjor”.

Nga ana tjetër, edhe sociologët këtë çështje e shohin si problematike.

Anton Berisha, sociolog dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, konsideron se, në përgjithësi, kjo mund të ndikojë negativisht për subjektin politik, por, siç shprehet ai, një gjë e tillë nuk është e mirë as për qytetarët.

“Unë konsideroj që, së pari, është çështje individuale e personit, i cili vendos të hyjë në listë, nëse nuk e ka ndërgjegjen e pastër sa i përket veprës, për të cilën akuzohet”.
...subjekti do të duhej të merrej me këto gjëra dhe të shohë se çfarë imazhi i një subjekti politik krijohet, nëse në listë ka persona, që janë të apostrofuar, apo ndaj të cilëve është ngritur një aktpadi.

“E dyta, konsideroj që edhe subjekti do të duhej të merrej me këto gjëra dhe të shohë se çfarë imazhi i një subjekti politik krijohet, nëse në listë i ka persona, që janë të apostrofuar apo ndaj të cilëve është ngritur një aktpadi. Mirëpo, unë konsideroj që gjërat janë të precizuara me ligj”,
vlerëson Berisha.

Berisha, megjithatë, thekson se qytetari është ai, i cili do t’i vlerësojë më së miri kandidatët dhe listat e votimit të partive politike.

“Unë, konsideroj se është një e mirë për qytetarin se ai mund të zgjedhë në listë për emrat. Nëse qytetari konsideron se personi i apostrofuar nuk e meriton votën e tij, mundësia është që të përcaktohet te personat e tjerë ose, eventualisht, nëse një subjekt politik që në listën e vet ka persona që janë të apostrofuar, të mos e votojë atë, po të votojë një listë tjetër, apo edhe persona të tjerë, por që nuk janë të apostrofuar apo ndaj të cilëve nuk është ngritur ndonjë procedurë”, thekson Berisha.

Analisti Matoshi vlerëson se pa deputetët me kredibilitet, nuk mund të miratohen ligje të duhura.

“Kjo, për bindjen time, do të ndikonte te votuesi, te ai mesatar, i cili do të duhej të shikonte që pa një Parlament me duar të pastra, pa deputetë me një kredibilitet moral dhe juridik, nuk mund të ndërtohet një shtet i së drejtës, si dhe nuk mund të miratohen ligje të duhura për qytetarët”,
vlerëson Matoshi.

Ndryshe, zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë, patën thënë se do të ishte mirë për reputacionin e Kosovës sikur emrat, të cilët janë nën hetime, të mos figurojnë në listat zgjedhore të partive politike.

Po ashtu, edhe disa nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, para certifikimit të partive politike dhe të kandidatëve të tyre, e kërkuan një gjë të tillë.

Lexoni edhe këtë:
EULEX-i s’e pëlqen garën e kandidatëve nën hetime
XS
SM
MD
LG