Ndërlidhjet

NATO-ja me strategji dalëse nga Afganistani


Samiti i NATO-s në Lisbonë, 20 nëntor 2010
Samiti i NATO-s në Lisbonë, 20 nëntor 2010
Miratimi i strategjisë dalëse nga Afganistani duket të jetë guri më i rëndë i miratuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të NATO-s në Lisbonë.

NATO-ja ka premtuar t'ua dorëzojë forcave afgane përgjegjësitë për çështjet e sigurisë deri në fund të vitit 2014, por ka theksuar se nuk do t'i braktisë afganët në luftën kundër talibanëve.

Presidenti afgan, Hamid Karzai, dhe udhëheqës nga 48 shtete që marrin pjesë në koalicionin në Afganistan, e pranuan strategjinë dalëse. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se fillimi i kalimit të përgjegjësive do të nisë nga viti i ardhshëm.

"Lufta kundër terrorizmit në Afganistan ka rëndësi strategjike globale. Suksesi ka rëndësi për popullin afgan po aq sa ka dhe për ne"
, tha Rasmusen, duke theksuar se Afganistani nuk do të braktiset.

Sekretari i NATO-s, Anders Fog Rasmusen (djathtas) dhe presidenti afgan, Hamid Karzai.
Mburoja raketore për vendet anëtare të Aleancës dhe SHBA-të kanë sjellë në një tryezë NATO-n dhe Rusinë. Presidenti rus Dimitri Medvedev e ka pranuar bashkëpunimin. Sipas kreut të Aleancës, ky është moment i paprecedent bashkëpunimi.

"Duke filluar nga sot, do të fillojmë të punojmë rreth asaj se si do të jetë bashkëpunimi NATO-Rusi në fushën e mbrojtjes raketore. Ka shumë çështje që duhen adresuar, por më e rëndësishmja është se vendet e NATO-s dhe Rusia për herë të parë po diskutojnë bashkëpunimin për t’i mbrojtur territoret dhe popullsinë evropiane"
, theksoi Rasmusen.

Para takimit, presidenti Obama theksoi se NATO-ja dhe Rusia “janë të kërcënuara nga të njëjtat rreziqe”.

“Jam i kënaqur të njoftoj se për herë të parë kemi rënë dakord të zhvillojmë një sistem mbrojtjeje raketore, që është i fuqishëm dhe në gjendje të mbulojë gjithë territorin e vendeve evropiane - anëtare të NATO-s, si dhe Shtetet e Bashkuara. Pres që të punoj së bashku me Rusinë në këtë drejtim, duke pranuar se përballemi me të njëjtat kërcënime”,
tha Obama.

Rusia ishte edhe në qendër të takimit mes presidentit amerikan, Barak Obama, dhe atij të Gjeorgjisë, Mikail Sakashvili, që u mbajt në margjinat e samitit.

Sakashvili shprehu mbështetjen e vendit të tij për angazhimin e NATO-s me Rusinë, me shpresën se kjo do të bëjë që "Rusia të sillet në mënyrë më të civilizuar ndaj fqinjëve".

Me gjithë fjalët e mirëseardhjes për Moskën, Rasmusen nuk harroi të përsëriste në mbyllje të takimit se marrëveshja për bashkëpunim me Rusinë nuk do të thotë se mosmarrëveshjet apo dallimet përfunduan. (i.b.)
XS
SM
MD
LG