Ndërlidhjet

logo-print

Rritet mosbesimi ndaj partive


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Shumica e qytetarëve të Maqedonisë nuk besojnë në partitë politike, madje mbi 55 për qind e tyre nuk janë të përcaktuar për asnjë partitë politike, tregojnë gati të gjitha anketat e realizuara mbi popullaritetin e partive politike. Analistët politikë, por edhe drejtues të OJQ-së thonë se ky është rezultat i mosrealizimit të ofertave dhe mungesës së programeve reale politike për zgjidhjen e kërkesave të elektoratit.


Rritet numri i qytetarëve të papërcaktuar ndaj subjekteve politike, kurse mitingjet e tyre janë gjithnjë e më pak të vizituara nga elektorati.

Mbi 55 për qind e të anketuarve thonë se nuk u besojnë partive andaj edhe mbeten të papërcaktuar se për kë do të kishin votuar. Të dhëna të këtilla përmbajnë thuajse të gjitha anketat që realizohen mbi popullaritetin e partive politike.

Sipas ekspertëve, me këtë elektorati dërgon sinjal të qartë se dëshiron përmirësime reale, të ndjeshme në jetën e përditshme, e jo të dhëna statistikore të projektuara nga qendra të ndryshme politike, varësisht nga pozicioni i tyre.

“Asnjëherë nuk ka qenë më e lartë përqindja e të papërcaktuarve. Në kushte të këtilla, mendoj se është joreale që politikanët të presin që mitingjet e tyre të jenë të vizituara nga qytetarët. Kjo tregon se partitë nuk kanë vizione për kërkesat e elektoratit”
, thotë Vlladimir Misev, analist politik.

Artan Grubi nga Lëvizja Qytetare “Zgjohu”, thotë se humbja e besimit të qytetarëve ndaj partive politike, vjen si rezultat i ngritjes së vetëdijes së tyre për mungesën e sinqeritetit të partive për realizimin e programit dhe të ofertave të prezantuara para elektoratit.

“Gjykoj që ngritja e vetëdijes kolektive të qytetarëve, qofshin ata shqiptarë, apo maqedonas, për zhvillimet politike dhe shoqërore në vend, ka ndikuar në rritjen e dyshimit te këta qytetarë në ofertat e partive politike dhe te politikanët në Maqedoni, në veçanti tek ata shqiptarë”.

“Duke parë se ato kanë mungesë të veprimit institucional dhe të ofertave kualitative, qytetarët rrisin dyshimet e tyre dhe ngelin të papërcaktuar dhe të dëshpëruar nga partitë politike”
, vlerëson Grubi.

Grubi konsideron se humbja e besimit nga ana e qytetarëve duhet të alarmojë partitë në ngritjen e kualitetit të veprimit, por edhe të njerëzve që janë në radhët e tyre, pasi vetëm me kuadro të përgatitura dhe programe të realizueshme, mund të përfitohet elektorati.

“Kjo duhet t'i frymëzojë partitë politike që të punojnë shumë më tepër, të afrojnë njerëz shumë më kualitativë pranë vetes, të largohen nga politika e rrugës, por, të bëjnë politikë cilësore me njerëz të dëshmuar në të gjitha sferat”,
thekson Grubi.

Eksperti për çështje të komunikimit, Sead Xhigalli, thotë se tranzicioni i stërzgjatur dhe partizimi i tërë shoqërisë, janë shkaktarë kryesor të apatisë, në të cilën ndodhen qytetarët.

“Nëse ndiejnë se zëri i tyre dëgjohet, se sugjerimet, vërejtjet, kritikat e kështu me radhë merren parasysh, si nga pushteti lokal, ashtu edhe nga ai qendror, ata gjithmonë do të jenë të motivuar që të jenë më aktivë. Pra, çelësi qëndron në participimin e qytetarëve në zgjidhjen e problemeve të përditshme, që nga asfaltimi i një rruge, e deri te zgjidhja e një problemi të madh politik”
, shprehet Xhigalli.

Për dallim nga ekspertët dhe anketimet e ndryshme, partitë politike thonë se janë të kënaqur me mbështetjen që kanë nga elektorati.
XS
SM
MD
LG