Ndërlidhjet

logo-print

IHT: Ç’duhet bërë tash për Irakun?

  • RFE /RL

International Herald Tribune

Shkruan: Xho Bajden, nënpresident i Shteteve të Bashkuara

Tetë ditë më parë, udhëheqësit politikë të Irakut u dakorduan të formojnë qeverinë e re, e cila do ta drejtojë vendin në vitet e ardhshme.

Që nga zgjedhjet e marsit, administrata jonë ka thënë se populli irakian meriton qeveri që e pasqyron rezultatin e këtyre zgjedhjeve, që i përfshin të gjitha blloqet kryesore që përfaqësojnë komunitetet e ndryshme, dhe që nuk e përjashton apo margjinalizon askënd. Kjo është ajo që tash ata e kanë.

Përderisa presidenti Obama dhe unë, si dhe një ekip i shkëlqyer i zyrtarëve amerikanë në Uashington dhe Bagdad, luajtëm rol aktiv në mbështetjen e këtyre përpjekjeve, megjithatë hapat më të rëndësishëm u bënë nga liderët e partive më të mëdha të Irakut.

Arritja e tyre është dëshmia më e re për zhvillimin kryesor në Irak: në dy vitet e fundit, politika ka dalë si mjeti dominues për zgjidhjen e dallimeve dhe shtyrjen përpara të interesave.

Shtetet e Bashkuara, gjithashtu, duhet ta bëjnë punën e vet për ta forcuar progresin në Irak. Ky është shkaku përse ne nuk shkëputemi nga Iraku, por vetëm e ndryshojmë natyrën e ndihmës - nga ajo ushtarake në civile.

Që nga marrja e zyrës, administrata Obama tërhoqi afro 100.000 trupa nga Iraku, dhe u dha fund operacioneve luftarake. Pesëdhjetëmijë trupat që do të mbeten deri në fund të vitit 2011 kanë mision të ri: të këshillojnë dhe t’u asistojnë homologëve të tyre irakianë, ta mbrojnë personelin dhe pronën, si dhe të marrin pjesë në operacionet kundër terroriste.

Ndërkohë, ne po i vëmë themelet e një pranie diplomatike në mbarë vendin mbi bazën për të ndërtuar partneritet dinamik në një varg sektorësh të qeverisjes, si edukimi, energjia, tregtia, shëndetësia, kultura, teknologjia informative, zbatimi i ligjit dhe gjyqësia.

Në një vend ku ekstremistët vazhdojnë të mbjellin kaos dhe ku ende vazhdojnë vuajtjet e civilëve të pafajshëm, kalimi drejt një shoqërie më të sigurt varet nga vazhdimësia e zhvillimit të forcave të sigurisë, të cilat tash numërojnë më shumë se 650 mijë pjesëtarë.

Ende nuk ka ardhur dita kur pasuria e madhe natyrore e Irakut do të mund t’i financojë plotësisht sigurinë dhe investimet e nevojshme në këtë vend.

Por, kjo ditë do të vijë. Iraku i ka rritur shpenzimet e veta në këto fusha, prandaj me angazhimin e qëndrueshëm të Amerikës, ai do të mund të dalë nga traumat e gjata për t’u bërë një shtet stabil dhe i vetëqëndrueshëm.

Lufta e Irakut i ka kushtuar shtrenjtë vendit tonë, ndërsa çmimin më të madh e paguan 4.430 heronjtë që e flijuan jetën. Tash është në interesin themelor të Amerikës që të ndihmojë të ruhen fitoret e arritura nga Iraku, të parandalohet ringjallja e ekstremistëve të dhunshëm dhe Iraku të inkurajohet që të bëhet aktor i përgjegjshëm për veten dhe aleat kyç amerikan në një rajon me strategji kritike.(v.p.)
XS
SM
MD
LG