Ndërlidhjet

IES: BE-Kosovë, sa më parë dialog për vizat


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Bashkimi Evropian duhet të nisë sa më parë dialogun zyrtar për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe t’ia japë vendit udhërrëfyesin zyrtar për këtë proces, vlerësojnë përfaqësues të Iniciativës Evropiane për Stabilitet. Në raportin e fundit të kësaj trajtohet izolimi i Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa thuhet se me qasjen aktuale të Brukselit karshi Kosovës po dëmtohen interesat dhe angazhimi i BE-së për vendin.

Iniciative Evropiane për Stabilitet i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndryshojë qasjen aktuale karshi Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave për shtetin, të nisë sa më parë dialogun për viza dhe të përgatisë udhërrëfyesin zyrtar për këtë proces.

Në raportin e fundit të kësaj organizate, të titulluar “Izolimi i konfirmuar. Si BE-ja po minon interesat e saj në Kosovë”, vlerësohet se duke e lënë Kosovën jashtë procesit të liberalizimit të vizave, Bashkimi Evropian po i dëmton interesat dhe angazhimin e tij në Kosovë.

Analistja në Iniciativën Evropiane për Stabilitet, Alexandra Stiglmeyer, i tha Radios Evropa e Lirë se me përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, Kosova do të bëhej partnere e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, do të stimulohej për zbatimin e reformave evropiane nga institucionet vendore dhe për forcimin e bashkëpunimit me EULEX-in.

Por, e tërë kjo, sipas Stiglmeyer, do të varet nga veprimet e ardhshme të Komisionit Evropian.

“Varet se sa kreativ do të jetë Komisioni dhe se a do të propozojë ai, pas hapjes së dialogut për viza, t’i japë Kosovës një udhërrëfyes për viza. Kjo do të varet pastaj edhe nga reagimi i shteteve anëtare”.
Ne mendojmë se me qasjen aktuale, BE-ja dhe të gjitha shtetet anëtare po e dëmtojnë veten.


“Ne mendojmë se me qasjen aktuale, BE-ja dhe të gjitha shtetet anëtare po e dëmtojnë veten. Pra, shpresojmë që të mbizotërojë arsyeja dhe të kuptohet se mënyra më e mirë për të ecur përpara, është që Kosovës t’i jepet një udhërrëfyes sa më shpejt që të jetë e mundur”,
tha Stiegelmeyer.

Raporti i ESI-t flet për progresin e bërë nga institucionet kosovare në një varg procesesh, siç janë riintegrimi, siguria e kufijve dhe puna lidhur me regjistrin civil.

Megjithatë, raporti kritikon Kosovën kur bëhet fjalë për riatdhesimin e personave të riintegruar dhe, njëkohësisht, bën thirrje për marrjen e masave në reduktimin e numrit të kosovarëve që kërkojnë azil në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ministri në dorëheqje për Integrime, Besim Beqaj, tha se ka plane për të thelluar përkushtimin institucional në procesin e riatdhesimit të personave të riintegruar.

Beqaj bëri të ditur se është duke u përgatitur një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me mundësitë që dalin nga liberalizimi i vizave.
...shpresojmë se shumë shpejt do të fillojë një fushatë e vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës se liberalizimi i vizave është një mundësi e mirë për të udhëtuar...


“Jemi përgatitur dhe shpresojmë se shumë shpejt do të fillojë një fushatë e vetëdijesimit të qytetarëve të Kosovës se liberalizimi i vizave është një mundësi e mirë për të udhëtuar, për t’i shikuar mundësitë për studime, për t’i shikuar mundësitë për lëvizje turistike, për të hulumtuar mundësitë për biznes, por jo për të jetuar dhe për të pasur të drejtë pune atje”,
theksoi Beqaj.

Në dhjetor të vitit të kaluar, vizat me Bashkimin Evropian ishin liberalizuar për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, një proces i njëjtë pritet të ndodhë në fund të këtij viti edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Në ditën e publikimit të Raporteve të Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, paralajmëroi nisjen në një afat të shkurtër të dialogut për viza me Kosovën, mirëpo deri më tani ende nuk është precizuar ky afat.

Stieglmeyer tha se me përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, autoriteteve kosovare do t’u dërgohej një sinjal pozitiv për interesin e BE-së për këtë vend. Kjo, sipas saj, është sidomos e rëndësishme në kohën kur pritet të nisin bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës zyrtare.

“Procesi i liberalizimit të vizave do ta stimulonte palën kosovare të jetë më konstruktive në dialog, sepse do të ndjente që Bashkimi Evropian nuk është duke ia zgjatur dorën vetëm Serbisë, por edhe Kosovës dhe se ka diçka që mund të fitohet”,
përfundoi Steglmyer.

Lexoni edhe këtë:
Me këngë përballë politikës
XS
SM
MD
LG