Ndërlidhjet

Opozita për zgjedhje të parakohshme


Branko Crvenkovski, paraqiti kërkesën për zgjedhje të parakohshme gjatë një tubimi në Shtip më 21 nëntor 2010
Branko Crvenkovski, paraqiti kërkesën për zgjedhje të parakohshme gjatë një tubimi në Shtip më 21 nëntor 2010
Opozita në Maqedoni kërkon zgjedhje të parakohshme. LSDM-ja thotë se në dhjetor do të paraqesë mocionin për votëbesimin e, siç thotë, “qeverisë jo-popullore dhe anti-integruese të Gruevskit”. Ndërsa, partitë në pushtet thonë se nuk u frikësohen kërkesave të këtilla të opozitës, pasi janë të gati për matjen e forcave në zgjedhje.


Kërkesën e Lidhjes Social-demokrate për zgjedhje të parakohshme parlamentare, do ta shqyrtojë seriozisht, VMRO-DOMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevskit.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të kësaj partie, Petar Pop Arsov, thotë se VMRO-ja ka mbështetjen absolute të elektoratit, andaj edhe nuk frikësohet aspak nga kërkesat e këtilla të opozitës.

“Të gjithë treguesit vënë në dukje se VMRO-DPMNE është në përparësi absolute në raport me partitë opozitare. Nga ky këndvështrim, mendoj se zgjedhjet e parakohshme neve na përgjigjen në çdo aspekt. Andaj, edhe ne, me seriozitet do të analizojmë çdo iniciativë që vjen nga ana e opozitës”,
deklaron deputeti Pop Arsov.

Kërkesën për zgjedhje të parakohshme e ka paraqitur lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, në një tubim të opozitës të mbajtur të dielën në mbrëmje në qytetin e Shtipit.

Sipas Cërvenkovskit, në dhjetor partia e tij do të paraqesë mocionin për votëbesimin e Qeverisë dhe me këtë rast kërkoi nga të gjitha partitë opozitare dhe ato që janë në koalicion me VMRO-në, të votojnë kundër, siç u shpreh, “qeverisë jopopullore” të udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski.

Kërkesa doli menjëherë pas Samitit të Lisbonës, ku Maqedonia nuk u përmend fare për shkak të moszgjidhjes së kontestit rreth emrit me Greqinë.

Opozita konsideron se Qeveria aktuale ka bllokuar përfundimisht procesin e integrimin dhe daljen nga kjo situatë, e sheh përmes zgjedhjeve të parakohshme.

Sa u përket partive shqiptare, edhe BDI-ja në pushtet thotë se është se nuk u frikësohet zgjedhjeve dhe se do ta shqyrtojë seriozisht çdo kërkesë që vjen nga opozita. BDI-ja do të shqyrtojë edhe pozicionin e saj në Qeveri pas dështimit të vendit në Samitin e Lisbonës.

"Ne, si institucione dhe si subjekt politik, përkrahim çdo iniciativë dhe çdo veprim që përshpejton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Sigurisht që pas Samtit të Lisbonës besoj se të gjitha subjektet politike do të duhet ta shqyrtojnë veprimin e mëtutjeshëm, do të duhet të marrin edhe qëndrime të qarta”.


“BDI-ja ka organet e saj të konstituuar dhe shpresoj që shumë shpejt organet do të diskutojnë se çka do të bëjë BDI-ja dhe cili do të jetë veprimi i saj i mëtutjeshëm"
, thotë Abdylaqim Ademi, zëvendëskryeministër dhe sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Nga Demokracia e Re e opozitës thonë se kjo Qeveri duhet të bie, pasi, sipas saj, është “qeveria më anti-integruese dhe më anti-shqiptare”. Zëdhënësi, Arianit Hoxha thotë se Demokracia e Re mbështet fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Qeveria aktuale ka dështuar në të gjitha aspektet, mbahet mend si qeveria më anti-NATO, anti-BE dhe normalisht si qeveria më anti-shqiptare. Absolutisht mendojmë se kjo qeveri duhet të largohet, dhe ne si parti opozitare normalisht se mbështesim zgjedhjet e parakohshme në rast të shpalljes së tyre”,
shprehet Arianit Hoxha.

Në bazë të anketave të fundit të realizuara nga agjenci dhe organizata të ndryshme, shumica e qytetarëve të Maqedonisë, madje mbi 55 për qind e tyre janë të dëshpëruar nga partitë politike, andaj edhe nuk do të votonin asnjë prej partive politike në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Në rritje e sipër është edhe numri i të papërcaktuarve, ndërsa shumica e atyre që mendojnë të dalin në votime, sërish do të përcaktoheshin për partitë në pushtet, maqedonasit për VMRO-DPMNE-në, kurse shqiptarët për Bashkimin Demokratik për Integrim.
XS
SM
MD
LG