Ndërlidhjet

Diskutime për Policinë dhe Doganat

  • RFE /RL

Ksavier de Marnak

Ksavier de Marnak


Shefi i EULEX-it, Ksavier De Marnak, do të takohet gjatë ditës në Beograd me një numër zyrtarësh, përfshirë ministrin e Financave, të Drejtësisë dhe të atë të Jashtëm.

Çështjet e Doganave dhe Policisë do të jenë ndër temat kryesore të takimeve, konfirmuan mëngjesin e sotëm për Radion Evropa e Lirë burimet e EULEX-it.

Të pyetur rreth mundësisë së përfshirjes së EULEX-it në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit, zëdhënësi i këtij misioni për programin tonë përsëriti se “ky është një mision teknik” dhe përfshirja nuk mund të jetë veçse në nivel teknik.

Sot është dita e dytë e vizitës në Beograd të shefit të misionit evropian për rend e ligj në Kosovë. Të hënën De Marnak u takua me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përmes një deklarate, Ministria e Brendshme e Serbisë ka theksuar se interes i Serbisë është që misioni i EULEX-it të jetë sa më i suksesshëm dhe të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, duke vlerësuar pozitivisht të gjitha aktivitetet në luftimin e kriminalitetit.

Në të njëjtën deklaratë thuhet se krimi është i pranishëm në gjithë territorin e Kosovës, e jo vetëm në pjesën veriore të saj.

Shefi i EULEX-it, De Marnak, e ka përshëndetur bashkëpunimin e deritashëm dhe ka paraqitur synimin, që në periudhën e ardhshme, ky mision të jetë më i pranishëm në pjesën veriore të Kosovës.

Kjo është vizita e parë zyrtare e shefit aktual të EULEX-it që nga ardhja në këtë post.(i.b.)
XS
SM
MD
LG