Ndërlidhjet

logo-print
Tetë ditë paraburgim për ish-kryeshefin e policisë rajonale Tetovë - Gostivar, Hisen Musliu, kanë vendosur mbrëmë vonë gjykatësit hetues, pas marrjes në pyetje për 24 orë nga një gjykatës hetues i Shkupit.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se Musliu ka pranuar veprën, për të cilën ngarkohet, duke sqaruar, në mënyrë të hapur dhe eksplicite, se “dosjet janë falsifikuar me urdhër të PDSH-së (Partisë Demokratike Shqiptare)”.

“Motivi për involvimin e tij, siç ka bërë të ditur në bisedën informative, ka qenë që kjo parti ta kundërshpërblejë atë me pozita të caktuara pas kthimit të saj eventual në pushtet”
, theksoi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

MPB-ja bëri të ditur se pas analizave të bëra dhe bisedës informative në stacionin policor në Shkup, në kompjuterët e tij janë gjetur 4 dosje të fabrikuara, por edhe materiale që gjoja mund të kenë origjinë nga shërbimi sekret gjerman, në të cilat sigurisht do të duhej të bëheshin intervenime.

Pas kësaj, reagoi PDSH-ja e Menduh Thaçit, duke akuzuar MPB-në se “është vënë në mbrojtje të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti”, ndërsa njoftoi se, sipas informatave të marra nga familjarët e Musliut, ai as që di të punojë në kompjuterë, e jo më të përpilojë dosje.

“Kyçja e njësive policore maqedonase është edhe një dëshmi se Aleksandar Antiqit alias Ali Ahmetit nuk i ka ngelur më tjetër veçse të vrasë shqiptarë si në rastin e Radushës, apo të kidnapojë pensionistë dhe me dhunë t’i disiplinoje shqiptarët”
, tha Imer Aliu, nga Partia Demokratike Shqiptare.

Ai porositi Bashkimin Demokratik për Integrim se “nuk mund t’i frikësojë shqiptarët që të heshtin para turpit, tradhtive që u janë bërë po nga kjo parti”.

Gjykata në Maqedoni

PDSH-ja kërkon urgjentisht që të lirohet Hysen Musliu dhe të ndërmerren masa ligjore ndaj atyre që kanë urdhëruar për këtë veprim, siç thuhet, antiligjor.

Por, BDI-ja tha se nuk ka dorë në arrestimin e Musliut, porse janë organet ligjore që zbardhin të vërtetën e dosjeve.

“Qëndrimi jonë nga fillimi ka qenë që institucionet shtetërore ta ndriçojnë këtë ngjarje dhe ajo të ndiqet nga institucionet shtetërore”
, tha Abdylaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së, i cili mban dhe postin e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, Lidhja Social-Demokrate vlerësoi se lustrimi është shndërruar në vegël për hakmarrje mes partive politike, por edhe mes pushtetit dhe institucioneve që shprehin padëgjueshmëri ndaj politikës së kryeministrit Nikolla Gruevski.

“I gjithë procesi i lustrimit u shndërrua në një mekanizëm apo më saktë vegël konfrontimi mes partive politike. Kohë më parë, kishim konfrontimin e pushtetit përmes kryetarit të Gjykatës Kushtetuese me këtë institucion. Ne, si LSDM, e mbështetëm procesin e lustrimit, por kjo formë siç realizohet më shumë e dëmton procesin, sesa e ndihmon atë. Andaj, ai patjetër duhet të kthehet sa më parë brenda institucioneve, e jo të realizohet në rrugë”,
u shpreh deputetja e LSDM-së, Cvetanka Ivanova.

Kryetari i Shoqatës së ish-të burgosurve politikë shqiptarë, Shpëtim Pollozhani, tha se lustrimi, për qëllime të caktuara të pushtetit, në vend se të vendosë shoqërinë në binarë të shëndoshë të zhvillimit demokratik, sipas tij, shndërrohet në arenë lufte mes partive politike shqiptare.

“Puna e lustrimit shndërrohet në një tragjikomedi. Do të ishte mirë që pos kopjeve, të kishte dhe një origjinal të dosjeve, të verifikuar nga ndonjë institucion ndërkombëtar. Kjo formë e realizimit të lustrimit është shumë e dëmshme, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët e vendit”.


“Komisioni për lustrim ka dështuar që në fillim. E vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo situatë është formimi i një komisioni tjetër për lustrim dhe qasja serioze e Qeverisë Gruevski ndaj punës së atij komisioni, për shkak se me buxhetin me të cilin disponon komisioni, si dhe me kompetencat, me të vërtetë është sjellë në një situatë tragjikomike. Ky komision do të dalë viktima e parë e gjithë kësaj loje politike”
, tha Pollozhani.

Lexoni edhe këto:
Shkup: Debat për lustrimin
Falsifikim dosjesh
XS
SM
MD
LG