Ndërlidhjet

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, por edhe organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, tërheqin vërejtjen se gratë në Kosovë janë ende viktimat më të shpeshta të dhunës dhe një nga grupet më të margjinalizuara.

Këto vlerësime u dhanë në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas.

Përparim Isufi, zëdhënës i OSBE-së, tha se gruaja në Kosovë përballet me vështirësi jo të vogla.

“Problemi është i qartë, dhuna kundër femrave është një pengesë e madhe dhe me ndikim të gjerë për shoqërinë, që nuk duhet më të tolerohet. Gratë në Kosovë ende nuk kanë mundësi të barabarta dhe përballen me vështirësi në qasje në arsim dhe punësim, e sidomos në mbajtjen e posteve drejtuese. Ato, gjithashtu, kanë vështirësi në pjesëmarrje në procesin e vendimmarrjes dhe në trashëgimi të pronës”,
theksoi Isufi.

Pulla postare "Stop dhunës ndaj gruas"

Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të grupeve të grave të Kosovës, pohoi se numri i grave, mbi të cilat ushtrohet dhunë, është më i madh se numri i raportuar.

“Unë mendoj se numri është më i madh dhe gratë nuk raportojnë, sepse janë të varura ekonomikisht dhe nuk kanë ku të shkojnë, si dhe kanë filluar ta humbin besimin në institucione, sepse nuk po veprojnë si duhet”.


“Sot ekziston ligji, prandaj ne, si rrjet, jemi inkuadruar në këtë ombrellë të madhe, në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe institucionet e Bashkimit Evropian që të bëhemi një zë më i fortë t’i mbrojmë këto gra dhe ligji do të veprojë, nuk do të rrijë në sirtar si ligjet tjera”,
deklaroi Rogova.

Në anën tjetër, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, theksoi se një nga shkaqet pse dhuna ndaj grave vazhdon të jetë e theksuar, është edhe, siç u shpreh ai, raporti patriarkal, të cilin mashkulli e ka karshi gruas, duke e konsideruar veten si pronar të sajin.

“Pas përfundimit të luftës, sistemi i vlerave ka shkaktuar një rënie të madhe dhe pasojat e luftës gjithashtu kanë ndikuar që dhuna ndaj femrës të rritet. Gjithashtu, femra ka qenë e vetëdijesuar për të drejtat e saj - ka bërë përpjekje t’i realizojë ato të drejta dhe ka rënë në kundërshtim me mashkullin, ku rezultat kemi dhunën që ka shkuar në rritje”,
sqaroi Shala.

Por, zyrtarë nga Policia e Kosovës thanë se dhuna ndaj grave këtë vit ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar. Arbër Beka, zyrtar për informim në këtë institucion, tha për Radion Evropa e Lirë se ky fenomen shqetësues i dhunës ndaj grave po shënon rënie nga viti në vit.

“Në bazë të statistikave për 9-mujorin e këtij viti, janë 620 raste të raportuara në tërë territorin e Kosovës. Nëse u referohemi statistikave të vitit të kaluar ku në këtë periudhë kohore kanë qenë të raportuara 800 raste, atëherë mund të themi se ka rënie të rasteve të dhunës ndaj femrave”,
bëri të ditur Beka.

Sidoqoftë, beteja për të eliminuar dhunën ndaj gruas në Kosovë është shënuar me një sërë aktivitetesh. Në mesin e tyre është edhe përurimi i pullës postare me thirrjen “Stop dhunës ndaj gruas”.

Lexoni edhe këtë:
Makthi i dhunës
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG