Ndërlidhjet

ENEMO me 150 vëzhgues


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve – ENEMO, prezantoi të enjten në Prishtinë metodologjinë e punës gjatë monitorimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Shefi i këtij misioni, Zllatko Vujoviq, tha se ditën e votimeve, ENEMO do të ketë mbi 150 monitorues, të cilët do të lëvizin në mbi 700 qendra votimi. Kurse raporti preliminar lidhur me ecurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve u tha se do të publikohet qysh më 13 dhjetor.


Mbi 150 monitorues ndërkombëtarë do të vëzhgojnë nga afër mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Kosovë. Këta monitorues janë pjesë e Rrjetit Evropian të Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve – ENEMO, dhe vijnë kryesisht nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik si dhe nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Aktualisht, në Prishtinë ka mbërritur një ekip prej 7 anëtarësh, i cili po përgatit terrenin edhe për ekipin tjetër 12 anëtarësh. Por, numri më i madh i monitoruesve pritet të shtrihet në terren ditën e zgjedhjeve, tha Zllatko Vujoviq, shef i këtij misioni, i cili vjen nga Mali i Zi.

ENEMO ka monitoruar edhe zgjedhjet lokale, kështu që kjo është hera e dytë që ky rrjet vëzhgon nga afër procesin e zgjedhjeve në Kosovë.

“Pas një viti, ne tani po monitorojmë zgjedhjet për Parlamentin e Kosovës me 150 vëzhgues për periudhë afatshkurtër, 12 vëzhgues për periudhë më afatgjate si dhe 9 anëtarë që përbëjnë kreun e misionit, ENEMO”,
tha Zllatko Vujoviq.

Me këto burime, ENEMO, sipas Vujoviqit, do të monitorojë fushatën zgjedhore, si dhe ditën e votimeve duke shtrirë monitorimin në 700 qendra të votimit përmes ekipeve lëvizëse.
...në këtë raport do të publikohen edhe rekomandimet se si të përmirësohet procesi zgjedhor në Kosovë.

Në fund, Vujoviq theksoi se ENEMO do të publikojë edhe raportin në lidhje me ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë.

“Ne do të publikojmë qëndrimet tona preliminare një ditë pas votimeve, kurse më pas edhe raportin përfundimtar. Varësisht ecurisë së zgjedhjeve, në këtë raport do të publikohen edhe rekomandimet se si të përmirësohet procesi zgjedhor në Kosovë”,
theksoi Vujoviq.

Ky numër i monitoruesve, sipas tij, nuk është i madh, por në bazë të metodologjisë së punës - i mjaftueshëm për të konstatuar nëse Kosova i ka plotësuar apo jo standardet e nevojshme për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Krahas misioneve ndërkombëtare që do të monitorojnë zgjedhjet, edhe rrjeti i organizatave vendore joqeveritare “Demokracia në Veprim” pritet të shtrijë në terren rreth 5 mijë vëzhgues ditën e votimeve. Njëherësh do të monitorohet më pas edhe i gjithë procesi i numërimit të votave deri në shpalljen e rezultateve.
XS
SM
MD
LG