Ndërlidhjet

logo-print

E ardhmja e FSK-së


Admiral Samuel J. Locklear III, Prishtinë, 25 nëntor 2010

Admiral Samuel J. Locklear III, Prishtinë, 25 nëntor 2010

Komandanti i Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, admirali Samuel J. Locklear, tha se Aleanca Veri-atlantike do të udhëzojë misionin e NATO-s në vend për të ardhmen e FSK-së. Mirëpo, marrja e një vendimi të tillë, sipas tij, do të varet edhe nga populli i Kosovës. Këto komente, Locklear i bëri pas takimeve që zhvilloi me përfaqësues të institucioneve vendore gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë. Ai foli edhe për planet e misionit të NATO-s në kohën e reduktimit të trupave të misionit të tij në Kosovë.


Përfaqësues të Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s ritheksuan se, pavarësisht reduktimit të trupave të KFOR-it në Kosovë, ky mision do të jetë i përqendruar edhe në vazhdim për sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në të gjithë territorin e Kosovës.

KFOR-i, i cili aktualisht numëron rreth 10 mijë trupa në radhët e tij, deri në pranverën e vitit të ardhshëm pritet ta reduktojë praninë në Kosovë në afro 5000 ushtarë.

Planet për të vepruar në pjesën veriore të Kosovës - e identifikuar tashmë si fokus i angazhimit të KFOR-it, sipas komandantit të Komandës së Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli, admirali Samuel J. Locklear, do t’i përshtaten procesit të reduktimit të trupave.

Kur e shohim tash ndryshimin në madhësinë e KFOR-it, ne do të bëjmë ri-pozicionimin e disa forcave, me qëllim të përdorimit sa më të mirë të atyre forcave në ofrimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt në gjithë Kosovën”, u shpreh admirali Locklear, pas takimit me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Forca e Sigurisë së Kosovës
Ky i fundit tha se bashkëpunimi i autoriteteve kosovare me misionin e NATO-s në vend në fushën e sigurisë dhe në përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka për qëllim integrimin e Kosovës në strukturat Euro-atlantike.

Institucionet e Kosovës, populli i Kosovës do ta shtojnë bashkëpunimin me NATO-n dhe KFOR-in. Qëllimi ynë politik dhe institucional është integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, theksoi Krasniqi.

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas ligjit, parashihet të jetë një forcë e armatosur lehtë, “e dizajnuar dhe e përgatitur për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë apo organizatave tjera për zbatim të ligjit, të cilat funksione do të autorizohen përmes një procesi monitorues sipas standardeve të përcaktuara, që do të vendoset nga prania ushtarake ndërkombëtare, në bashkërendim me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil”.

Ministri në dorëheqje i FSK-së, Fehmi Mujota, tha se trajtimet e pjesëtarëve të kësaj force do të vazhdojnë nën mbikëqyrijen e KFOR-it, deri në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale.

“Të gjitha çështjet në terren do të zhvillohen përmes përkrahjes së drejtpërdrejtë të komandantit të KFOR-it. Këtë rast e patëm edhe me ushtrimin ‘Luani i Shkathtë III” dhe tash jemi në një fazë tjetër të vlerësimit për Forcën e Sigurisë. Kapacitetet tona po ngrihen në mënyrën e duhur dhe po shpresojmë se çdo gjë do të shkojë në drejtim të integrimeve Euro-atlantike”, tha Mujota.

Zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje të Kosovës kishin shprehur bindjen se në vitin 2012 FSK-ja të jetë plotësisht operacionale.

I pyetur për kohën e ndryshimit të rolit të FSK-së dhe shndërrimin e saj në ushtri të shtetit, Locklear u shpreh:

Natyrisht se Aleanca Veri-atlantike do të na japë udhëzime për rolin e FSK-së. Roli dhe misioni, për të cilin aktualisht po trajnohet FSK-ja, janë ato role e misione që i duhen popullit të Kosovës për të ecur përpara”.

“Kapacitetet, për të cilat ata trajnohen, sipas pikëpamjes sime, janë kapacitetet primare për të pasur një ambient të qetë e të sigurt për njerëzit e Kosovës. Se si do të duket kjo forcë në të ardhmen nuk më takon mua ta vlerësoj”.

Locklear nënvizoi se do të varet edhe nga populli i Kosovës që të merret një vendim për kohën e ndryshimit të rolit të FSK-së dhe shndërrimit të kësaj force në ushtri të shtetit.

Në fund të procesit të formimit, Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të ketë 2.500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervë.

Lexoni edhe këtë:
Pengesat para FSK-së
XS
SM
MD
LG