Ndërlidhjet

NYT: Rusia e zemëruar me propozimin evropian për viza


Presidenti rus, Dmitri Medvedev (Foto arkivi).
Presidenti rus, Dmitri Medvedev (Foto arkivi).
“New York Times”

Rusia ka reaguar me zemërim ndaj propozimit për mosdhënien e vizave evropiane afro 60 zyrtarëve rusë, që ishin të implikuar në vdekjen e avokatit Sergej Magnitsky në paraburgim në Moskë, vitin e kaluar.

Konstantin Kosaçev, kryesues i Komitetit për raporte të jashtme në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Rusisë, e dënoi propozimin për ndalim si “taktikë bolshevike” dhe tha se Rusia ndoshta do të detyrohet të “hakmerret shumë ashpër”, nëse propozimi shkon më tutje.

Ai tha se ky presion “mund të ketë pasoja ekstremisht negative për marrëdhëniet e tërësishme ndërmjet Rusisë e Bashkimit Evropian”.

Ministria e Jashtme ruse këtë lëvizje e ka vlerësuar si “ndërhyrje direkte në punët e brendshme të shtetit sovran dhe presion i hapur në sistemin gjyqësor në Federatën Ruse”.

Këto komente u bënë në përgjigje të votimit në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, për plotësimin e rekomandimit në raportin vjetor të tij për të drejtat e njeriut.

Propozimi mbetet larg që të bëhet ligj. Së pari, ai duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian në takimin e dhjetorit.

Pastaj, u mbetet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të vendosin nëse do t’i miratojnë sanksionet kundër 60 zyrtarëve, tha Heidi Hautala, anëtare e delegacionit të Finlandës, që ka sponsorizuar propozimin.

Avokati Sergei L. Magnitsky vdiq më 16 nëntor 2009, pasi ishte mbajtur më tepër se 11 muaj si i dyshuar për vjedhje taksash.
“Ajo që përfaqëson ky propozim, është shqetësimi i madh në Bashkimin Evropian, se është koha për drejtësi në rastin Magnitsky, i cili me të vërtetë duket si viktimë e sistemit gjyqësor të Rusisë”, tha Heidi Hautala.

Në mesin e 60 emrave përfshihen edhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme ruse, të Komitetit prokurorial hetues, të administratës së burgut dhe 12 gjyqtarë.

Propozimi rekomandon që atyre të mos u jepen viza dhe që t’u bllokohet pasuria dhe xhirollogaritë bankare, që i kanë matanë oqeanit.

Votimi në Komitetin e Parlamentit Evropian u bë pas rekomandimeve nga senatori demokrat nga Merilendi i Shteteve të Bashkuara, Benjamin L. Cardin, në muajin prill, se Departamenti amerikan i shtetit nuk u jep viza zyrtarëve, që në Rusi njihen si “Lista e Cardinit”.

Avokati Sergei L. Magnitsky vdiq më 16 nëntor 2009, pasi ishte mbajtur më tepër se 11 muaj i dyshuar për vjedhje taksash. Në kohën e arrestit të tij, zoti Magnitsky po punonte si këshilltar i jashtëm i fondit ndërkombëtar Hermitage Capital Investment, ndërsa themeluesi i saj, William F. Browder, ishte i involvuar në armiqësi të ashpër me autoritetet ruse.

Zoti Browder i kishte akuzuar zyrtarët rusë për shfrytëzim të kompanive të tij për të përvetësuar 230 milionë dollarë nga Thesari i Rusisë.

Javën e kaluar, në përvjetorin e vdekjes së zotit Magnitsky, zyrtarë të policisë shpallën se ata kanë dëshmi se avokati Magnitsky ishte përgjegjës për vjedhje.

Përderisa presidenti Dmitri Medvedev kishte urdhëruar hetim për vdekjen e zotit Magnitsky, qartazi ka pasur pak progres në këtë drejtim.

Sergei Mirnov, kryesues i Dhomës së Epërme të Parlamentit rus, tërhoqi vërejtjen se nëse shtetet evropiane veprojnë sipas propozimit, Rusia mund të hakmerret me masa të ngjashme.

“Si rregull, masat e këtilla janë të pasqyruara dhe Rusia do të duhej ta bënte të njëjtën gjë: nëse ju i ndalni zyrtarët tanë, ne do të vendosim instrumente të njëjta”, tha ai, raportoi agjencia e lajmeve Interfaks.

“Megjithatë, këto masa nuk janë përkatëse dhe duhet të ekzistojë një rrugë tjetër për marrëdhëniet tona”, tha Mirnov. (f.b.)
XS
SM
MD
LG