Ndërlidhjet

Mbyllen disa hapësira të Televizionit A1


Forcat policore para Televizionit A1

Forcat policore para Televizionit A1

Në orët e hershme të mëngjesit organet e sigurisë janë tërhequr nga lokalet e Televizionit A1, pas vendimit të Policisë Financiare për të mbyllur disa nga hapësirat, ku kanë funksionuar disa kompani, në të cilat vlerësohet se janë regjistruar parregullsi ligjore.

Ndërkohë, të punësuarit e Televizionit A1 thonë se u është bllokuar hyrja në qendrën kompjuterike dhe pajisjet transmetuese të programit televiziv.

“Pas mesnatës, pasi u shpërndanë qytetarët e mbledhur para TV A1, policia ka ndërhyrë me forcë në disa objekte të televizionit, me ç`rast janë mbyllur disa hapësira të televizionit, me çka është penguar funksionimi i programit”,
deklaron kryeredaktori i TV A1, Mlladen Çadikovski, duke theksuar se ai dhe një punonjësit e televizionit janë keqtrajtuar nga policia.

Por, Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se policia nuk ka ndërhyrë ndaj të punësuarve, por ka asistuar në kryerjen e kontrollit nga ana e Policisë Financiare dhe të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

"Në orët e mëngjesit në një banese në lagjen Çair të Shkupit, policia ka gjetur disa kompjuterë dhe mjete financiare, të cilat gjatë ditës së djeshme përderisa inspektorët financiarë janë mbajtur peng, ato janë transferuar nga ndërtesa Pero Nakov pa numër, ku gjendet dhe TV A1"
, njofton ministrja Jankullovska.

Edhe numri një i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Goran Trajkovski, bën të ditur se më shumë se 16 muaj në forma të ndryshme është penguar kontrolli financiar i gjashtë firmave, të cilat funksionojnë në të njëjtën ndërtese ku është dhe Televizioni A1.

"Ishim të detyruar të kërkojmë asistencën e Policisë Financiare për të kryer kontrollin e obligimit tatimor për gjashtë firmat, puna e të cilave është kontestuese, sepse ishim të penguar gjatë punës sonë",
shprehet Goran Trajkovski, duke theksuar se kontrolli është bërë me vendim të gjykatësit hetues.

Ndërkohë, partitë politike në opozitë, intelektualë të pavarur si dhe drejtues të organizatave joqeveritare, ndërhyrjen e policisë e kanë cilësuar si ndërhyrje të pushtetit ndaj fjalës së lirë.

“Kjo duhet të jetë një simptomë në drejtim të asaj se në cilin drejtim është duke shkuar shteti i Maqedonisë nën udhëheqjen e këtij pushteti. Pra, po bëhemi në një farë forme shtet-diktaturë ku me mjete brutale sot tentohet të ndërhyhet në mediume, ndërsa nesër kjo mund të pritet dhe në organizatat joqeveritare partitë politike në opozitë dhe te të gjithë ata, të cilët e duan lirinë dhe fjalën e lirë. Thjesht, përmes incidentit të mbrëmshëm kanë marrë mesazh të qartë se ata janë të sulmuar”
, thotë Artan Sadiku, analist politik.

Ndaj ndërhyrjes së policisë në objektin ku ndodhet TV A1, reagoi ashpër dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve, duke theksuar se mbrëmë është dhunuar fjala e lirë.

"Rrahja, shkelja dhe tërheqja zvarrë e kolegëve të TV A1, të cilëve iu pamundësua të kryejnë punën e tyre, nuk mund të ketë asnjë arsyetim të logjikshëm dhe demokratik që mund të ketë për bazë kontrollin financiar e as çfarëdo procedure tjetër"
, thekson Tamara Cauisidis, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve, duke apeluar te punëdhënësit që të mos lejojnë që veprimi i tyre antiligjor të mbrohet me shkeljen e dinjitetit të gazetarëve.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE në pushtet, për situatën e krijuar e ka akuzuar LSDM-në opozitare, e cila, sipas partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, tenton që përmes nxitjes së gazetarëve të këtij mediumi, të shkaktojë tensione në vend.

"Partitë politike nuk duhet të krijojnë tensione në media për të marrë pikë politike. U bëjmë thirrje institucioneve të shtetit të mundësohet zhvillimi normal i detyrave profesionale të gazetarëve, të sigurojë liri të informimit dhe të lëvizjes së gazetarëve "
, thuhet në njoftimin e Këshillit për Radiodifuzion, pas incidentit të mbrëmshëm që ndodhi në ndërtesën e Televizionit A1.
XS
SM
MD
LG