Ndërlidhjet

Liderët e Kosovës i urojnë Shqipërisë 28 Nëntorin


Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi uruan presidentin e kryeministrin e Shqipërisë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë.

“Dëshiroj t’Ju përcjell përshëndetjet e mia më miqësore dhe, me këtë rast, kam kënaqësinë e veçantë që, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe në emrin tim, t'ju uroj Juve dhe popullit të Republikës së Shqipërisë Ditën e Pavarësisë, 28 Nëntorin".

"Në këtë ditë feste, kujtojmë dhe nderojmë me respektin më të thellë të gjithë ata atdhetarë dhe luftëtarë shqiptarë, që me aftësi e mençuri të rrallë dhe me veprën e tyre të pavdekshme, i kthyen shqiptarëve shtetin dhe identitetin kombëtar”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Krasniqit dërguar presidentit të Shqipërisë Bamir Topi.

Kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi në urimin dërguar kryeminsitri shqiptar Sali Berisha, ka shprehur besimin se sot kombi është më i përgatitur dhe më të sigurt.

“Kjo festë e gjen kombin shqiptar më të përgatitur dhe më të sigurt se asnjëherë më parë në rrugën e realizimit të idealeve të tij. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen të arriturave të Shqipërisë, duke besuar se së shpejti edhe Kosova do të përmbushë të gjitha parakushtet për t’u bërë anëtare e denjë e OKB-së, NATO-s dhe BE-së”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçit.

Ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi u ka drejtuar një mesazh urimi edhe qytetarëve me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

“Sa herë vjen 28 Nëntori, kjo ditë e shënuar e historisë sonë, mendjet dhe zemrat na bëhen të njënjëshme rreth shenjës, simbolit, flamurit, pa pasur nevojë për shpjegime heraldike".

"Në këtë ditë merr fillesë rruga e mundimshme, e vuajtshme, po edhe e lavdishme dhe e dinjitetshme e aspiratës së lirisë sonë dhe bëhet Festë. Duke marrë shkas nga ky rrezatim përndritës i festës, Ju uroj nga zemra, Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin!”, thuhet në urimin e Krasniqit.
XS
SM
MD
LG