Ndërlidhjet

logo-print

Kosovës i duhet rritje dyshifrore ekonomike


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është radhitur e treta në Evropë për nga përqindja e rritjes ekonomike. Ky raport tregon se rritja ekonomike gjatë këtij viti është 5.39 për qind. Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se për një zhvillim të mirëfilltë ekonomike, Kosovës i nevojitet përqindje dyshifrore.


Rritja ekonomike gjatë këtij viti prej 5.39 për qind, është rritje inkurajuese, por jo edhe e mjaftueshme për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, thonë njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë.

Këto komente pasojnë raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku thuhet se kjo normë e rritjes, Kosovën e ka radhitur në vendin e tretë në Evropë, për nga përqindja e rritjes ekonomike.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se duke pasur parasysh zhvillimin e dobët ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë dhe të ardhurat mesatare për kokë banori, që sillen rreth 1.700 euro, atëherë rritja ekonomike duhet të jetë shumë më e lartë.
...për të ardhur në një pozitë ku mund të krahasohemi me vendet e rajonit, nevojitet një rritje prej 8 deri në 10 për qind.


“Shkalla normale, apo ajo që i nevojitet Kosovës, do të duhej të sillej prej 8 deri në 10 për qind, për shkak se këto të ardhura për kokë banori, që i përmenda, janë disa herë më të vogla se në shtetet fqinje. Atëherë, për të ardhur në një pozitë ku mund të krahasohemi me vendet e rajonit, nevojitet një rritje prej 8 deri në 10 për qind"
, thotë Zeka.

Edhe Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, pohon se rritja ekonomike prej 5 për qind nuk ka domethënie në kuptimin e transformimit ekonomik dhe social të Kosovës.

“Prandaj, Kosova ka nevojë për rritje ekonomike dyshifrore, në mënyrë që të bëhet diferenca pozitive në kuptimin e uljes së papunësisë dhe varfërisë”
, pohon Sadiku.
Kosova ka nevojë për rritje ekonomike dyshifrore...


Në anën tjetër, ministri në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, shprehet se vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë të përafërta me parametrat e planifikuar nga Qeveria e Kosovës.

Shala thotë se faktorët që kanë dominuar në këtë rritje janë investimet publike, private dhe konsumi.

“Ne mund të jemi krenarë që jemi pjesë e këtij suksesi, natyrisht me kontributin e të gjitha institucioneve kosovare. Por, konsideroj se vendimet e institucioneve të Kosovës dhe masat që kemi marrë gjatë vitit 2008 - 2009, gjithmonë kemi thënë se do ta rangojnë Kosovën në një vend me rritje ekonomike të qëndrueshme”,
shprehet Shala.

Por, pikërisht investimet në sektorin publik nga ana e Qeverisë, janë shkaktarë që zbehin këtë rritje, thotë Arian Zeka, duke shtuar se rritja ekonomike duhet të vojë nga sektori privat.

“Duke pasur parasysh se çfarë zhvillimi të sektorit privat ka Kosova, atëherë nëse vjen një rritje e tillë prej sektorit publik, është në rregull, mirëpo ne duhet të mendojmë për ardhmen dhe e ardhmja duhet të parashihet që rritja të vijë prej sektorit privat, e jo prej sektorit publik”.

“Gjithsesi, do të vijë koha kur do të përfundojnë këto zhvillime infrastrukturore që financohen momentalisht prej sektorit publik, e do të kërkojmë diku tjetër zgjidhje afatgjate, e ky është sektori privat”,
thekson Zeka.

Nëse merren parasysh parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2011, Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 5,9 për qind, e që do të radhitet e dyta pas Bjellorusisë, e cila do të ketë normë të rritjes 6.2 për qind.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG