Ndërlidhjet

Tregu i zi me barna në Kosovë është një problem shqetësues, si për punëtorët shëndetësorë, po ashtu edhe për pacientët dhe qytetarët në përgjithësi.

Edhe vetë zyrtarët konfirmojnë se tregu i zi me barna është prezent dhe se pasojat janë evidente. Haki Ejupi, monitorues i sistemit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se rreth 25 për qind e barnave në tregun kosovar, kontrabandohen dhe hyjnë prej kanaleve jo të autorizuara për shitje.

“Është përgjegjësi, si institucionale, po ashtu edhe profesionale, e inspektoratit farmaceutik, së bashku me të gjitha agjencitë e tjera që ta luftojnë kontrabandën".

"Kemi marrë shumë aksione, qoftë me shërbimin doganor, qoftë edhe me shërbimin policor, por edhe me inspektorë të farmacisë dhe kemi identifikuar shumë raste dhe kemi marrë masat e parapara me ligj aty ku kemi identifikuar qarkullimin e barnave pa banderolë apo me banderolë false”,
bën të ditur Ejupi.

Por, tashmë Ministria e Shëndetësisë ka publikuar regjistrin e parë të barnave. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, qëllimi i këtij libër-regjistri është luftimi tregut të zi me barna.

Shqipe Sfarça, zyrtare për informim në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se ky libër brenda tij përmban të gjitha barnat e autorizuara për shitje dhe qëllimi i botimit të tij është pikërisht luftimi i tregut të zi me barna.

“Është publikuar regjistri zyrtar i barnave i Republikës së Kosovës, i cili përmban në vete të gjitha barnat e autorizuara. Ky libër është formuluar nga ekspertë nga Katedra e Farmakologjisë, i përkrahur nga Departamenti i Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe nga punëtorë të Shoqatës së Farmacistëve”.

"Me anë të këtij libri u jepet mundësia të gjithë punëtorëve shëndetësorë të përshkruajnë barna, të cilat janë të regjistruara dhe nëse ju përmbahen këshillave nga ky regjistër, atëherë do të luftohet tregu i zi me barna”
, thotë Sfarça.

Ndërkaq, Jeton Shala, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM), thotë se edhe sektori privat, me anë të këtij regjistri do të mund t’i identifikojë barnat e paautorizuara, që hyjnë në tregun kosovar.

Shala thekson se tashmë kanë marrë disa aksione për ta luftuar këtë dukuri dhe, sipas tij, kanë dalë të suksesshëm në këtë aksion.

“Ne, si AKPM, pesë javë më parë kemi filluar ta kontrollojmë sektorin privat. Kemi qenë të suksesshëm dhe kemi vërejtur ndryshime shumë të mëdha pozitive. Kemi mbyllur 12 barnatore në Gjilan, 8 barnatore në Ferizaj; janë dhënë gjoba të ndryshme nëse farmacisti nuk ka qenë prezent në barnatoren e hapur”.


“Tashmë është emëruar një komision që merret me gjobat, problemet dhe ankesat e farmacistëve për farmacitë që janë mbyllur. Ky synim nuk ka qenë që të vështirësohet puna e farmacive, por që të vihen në kontroll barnat dhe të vihen në treg barnat e autorizuara”,
sqaron Shala.

Sidoqoftë, pacientët kanë qenë ata që kanë pësuar deri tani nga tregu i zi me barna. Rasti më eklatant ka qenë i një vajze 10-vjeçare, e cila është trajtuar gjatë me një bar, e që nuk ka pasur efekt, për shkak se ka qenë me afat të skaduar. E gjithë kjo është kuptuar pasi dërgimit jashtë Kosovës të pacientes.

Lexoni edhe këtë:
Sa të rrezikuar janë kosovarët?
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG