Ndërlidhjet

logo-print

Tension në rritje mes Koreve

  • RFE /RL

Koreja Jugore

Koreja Jugore

Koreja e Jugut varrosi dy marinsat që u vranë javën e kaluar në ishullin, që u granatua nga Koreja Veriore afër kufirit të kontestuar detar, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten në siujdhesë.

Në ceremoninë e varrimit në Seul morën pjesë të afërm, politikanë dhe zyrtarë ushtarakë, përfshirë edhe komandantin e flotës së Koresë Jugore, Ju Nak-Jun, i cili u zotua për hakmarrje ndaj Koresë Veriore.

“Ne marinsat dhe ish-marinsat do të vendosim ndjenjat tona të tërbimit dhe armiqësisë në kockat tona dhe do të hakmerremi ndaj Koresë Veriore”, tha Nak Jun.

Dy ushtarët, Seo Jong –Vu dhe Mun Guan-Uok, si dhe dy civilë, punëtorë ndërtimi, u vranë të martën nga sulmi në ishullin Jeonpjeong në Korenë Jugore.

Funerali u bë në kohën kur Koreja Jugore po bëhet gati për t’iu bashkuar stërvitjeve ushtarake me SHBA-në, të parapara të nisin të dielën. Ministria e Mbrojtjes e Seulit shpjegoi qëllimin e stërvitjeve.

”Qëllimi i stërvitjeve është forcimi i përmbajtjes sonë ushtarake kundër Koresë Veriore dhe përmirësimi i sigurisë në territorin tonë, si dhe përmirësimi i bashkëpunimit mes SHBA-ve dhe Koresë Jugore. Po ashtu, për të treguar vendosmërinë e aleancës SHBA - Kore Jugore”, tha Li Bung Vo nga Ministria e Mbrojtjes.

Koreja Veriore reagoi ndaj stërvitjeve ushtarake duke i quajtur ato “provokim i pafalshëm” dhe tërhoqi vërejtjen se sulmet hakmarrëse dhe nëse territori i saj cenohet, do të krijonin “det me zjarr”.

Komentet u publikuan në faqen shtetërore të internetit Uriminzokiri, një ditë pas paralajmërimeve të Koresë se siujdhesa “gjendet buzë luftës” dhe se njerëzit dhe armata janë së tepërmi të inatosur.

Ndërsa, tensionet po rriten, Kina dhe SHBA biseduan mbi mundësinë e uljes së tensioneve mes Seulit dhe Phenianit.

Ministri i Jashtëm kinez, Jang Jieçi, zhvilloi një bisedë telefonike me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Zyrtarët thanë se prioritet tani është mospërsëritja e dhunës që ndodhi të martën.

Kina, i vetmi aleat i madh i Koresë Veriore, tha se është e përcaktuar që të pengojë eskalimin e krizës, ndërsa ka tërhequr vërejtjen ndaj akteve ushtarake afër bregdetit të saj.

SHBA-të thanë se stërvitjet luftarake ishin planifikuar shumë më herët sesa sulmi në ishull dhe se ato nuk janë të drejtuara kundër Pekinit.

Ndërkohë, të shtunën në Seul njëmijë veteranë të ushtrisë protestuan duke djegur flamurin e Koresë Veriore dhe portretet e liderëve të Phenianit. Ata kërkuan reagim më të fuqishëm ndaj sulmit të Koresë Veriore. Protestuesit kërkuan hakmarrje dhe dënuan atë që e përshkruan si mizori të veriut.

“Nuk mund ta tolerojmë provokimin barbar të Koresë Veriore më. Ne ish- marinsët do të udhëheqim tubimet për të treguar vendosmërinë tonë për ta dënuar Korenë Veriore. Për këtë arsye jemi këtu”,
tha njëri nga protestuesit.

Sulmi i së martës e ka dridhur thellë Korenë Jugore dhe ka tendosur nervat në rajon. (a.i)
XS
SM
MD
LG