Ndërlidhjet

Ndërhyrja në Televizionin A1, opozita kërkon zgjedhje


Policia në TV A1

Policia në TV A1

Pas ndërhyrjes së policisë në Televizionin A1, opozita kërkon dorëheqjen e Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Analistët politikë thonë se zgjedhjet po bëhen realitet në Maqedoni, por Albert Musliu dhe Zoran Saveski shprehin mendime të ndryshme nëse opozita është e gatshme të ballafaqohet me kryeministrin Nikolla Gruevski.


Opozita maqedonase intensifikon kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në veçanti pas ndërhyrjes së fundit të policisë në Televizionin A1, për të siguruar, siç ka thënë, kontrollin e inspektimit të punës së disa kompanive që janë pjesë e biznesit të pronarit të këtij televizioni.

Lideri i opozitës, Branko Cërvenkovski, thotë se “Maqedonia tashmë është shtet i rrëmbyer nga një person dhe familja e tij”, duke aluduar në kryeministrin Nikolla Gruevski, andaj edhe paralajmëron marshe protestuese në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe largimit nga pushteti të, siç thotë, “qeverisë jo-popullore të Gruevskit”.

Analistët politikë në vend janë të ndarë në qëndrime nëse opozita do të mund t'i bëjë ballë pushtetit aktual që vazhdon të ketë mbështetje të madhe, bazuar në sondazhet e fundit mbi popullaritetin e partive.

Analisti Zdravko Savevski thotë se protestat nuk janë mënyra më e mirë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, por prezantimi i ideve dhe programeve për zgjidhjen e problemeve.

Savevski shpreh mendimin se LSDM-ja nuk duhet të ndalet në kritikat ndaj pushtetit, por të tentojë t'i bindë qytetarët se ofron më të mirën për këtë shtet.

“Ajo që ka më së shumti nevojë LSMD-ja, është që të hapë një faqe të re të saj, jo të kritikojë qeverinë aktuale, pasi shumica e qytetarëve e dinë se kjo qeveri nuk është e mirë, por të ofrojë zgjidhje, të bëjë paralele mes asaj çfarë ka bërë kur ishte në pushtet dhe çfarë planifikon të bëjë nëse merr sërish besimin e qytetarëve”


“Nëse LSDM-ja dëshiron të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme, është e detyruar që të mendojë me sinqeritet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Derisa kjo kategori nuk bindet se opozita është serioze në premtimet e dhëna, LSDM-ja nuk do të fitoje në zgjedhje”, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, analisti, Albert Musliu, thotë se nuk duhet bazuar në anketat e fundit që favorizojnë pushtetin aktual, pasi ato mund të mos jenë reale.

Musliu konsideron se tani, pas ndërhyrjes së policisë në Televizionin A1, dhe presioneve tjera që po bëhen ndaj sektorit civil, ka ardhur momenti që në vend të ketë zgjedhje.

“Me rastin e fundit që ndodhi në Televizionin A1, mendoj se janë pjekur kushtet për t'u rivërtetuar në zgjedhje kredibiliteti i Qeverisë. Raste sikur ai që ndodhi në TV A1, janë skena që ne jemi mësuar t'i shohim para 20 viteve në këto rajone. Me këtë veprim Maqedonia në sytë e botës është paraqitur si një shtet, i cili ndërhyn me polici nëpër mediume. Kështu që mendoj se edhe zgjedhjet e parakohshme tashmë janë një realitet”
, vlerëson Musliu.

Gjithashtu Musliu shpreh domosdoshmërinë e mobilizimit të opozitës nëse dëshiron t’i fitojë zgjedhjet. Këtë, sipas tij, ajo, por edhe partitë tjera, qofshin ose jo në pushtet, mund ta arrijnë nëse punojnë për të përfituar të papërcaktuarit, të cilët në Maqedoni janë në numër shumë të madh.

Sa i përket rolit të subjektit politik shqiptar në këto zhvillime, Musliu shprehet:

“Objektivisht, partneri i koalicionit i ka bërë dëm edhe pozitës shqiptare. Nga ana tjetër, opozita shqiptare sigurisht se këto dobësi do t'i përdorë, por mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në sjelljen e pozitës shqiptare, këtë do ta shfrytëzojë opozita shqiptare apo ndonjë subjekt i ri që pritet të dalë skenën politike”.


Ndërkohë, partitë në pushtet deklarojnë se nuk u frikësohen zgjedhjeve të parakohshme, andaj edhe me seriozitet do ta shqyrtojnë kërkesën e opozitës.
XS
SM
MD
LG