Ndërlidhjet

Feith, Lunacek: Të mbrohet trashëgimia kulturore e fetare


Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian Pieter Feith, dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, kanë kërkuar që të ruhet trashëgimia kulturore e fetare.

Ata kanë bërë këto komente gjatë një vizite të përbashkët në Prizren, ku kanë takuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe autoritetet lokale.

Feith ka kërkuar ruajtjen e Qendrës Historike të Prizrenit.

“Legjislacioni i Kosovës për trashëgiminë kulturore dhe fetare është në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe pasqyron Kosovën shumë-etnike me diversitet të pasur dhe ne shpresojmë që së shpejti të shohim miratimin e ligjit, i cili ka për synim mbrojtjen e gjithë Qendrës Historike të Prizrenit”, e citon Feith një komunikatë e lëshuar nga Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së.

“Eshtë e qartë se nevojiten veprime më konkrete nga autoritetet kompetente për ruajtjen e Qendrës Historike. Zhvillimi i pakontrolluar sot përbën një rrezik të madh për Qendrën Historike të Prizrenit dhe unë i bëj thirrje Kryetarit të Komunës që të reagojë me forcë ndaj ndërtimeve të cilat nuk janë në pajtim me legjislacionin përkatës, “ ka thënë Feith.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek ka thënë se Prizreni, me tri gjuhët e tij dhe me sfondin shumë-kulturor është dhe mund të jetë një shembull i mirë evropian për Kosovën dhe gjithë rajonin.

“Unë jam e lumtur që sot në Prizren shoh disa zhvillime pozitive në këtë kontekst, por në të njëjtën kohë dëshiroj të përsëris se është e nevojshme të bëhet më tepër për të siguruar mosdegradimin e vendeve të rrezikuara të trashëgimisë”.

“Në rezolutën time për Kosovën unë kam theksuar se Parlamenti Evropian mbështet mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore, e cila është me rëndësi për të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka thënë Lunacek.
XS
SM
MD
LG