Ndërlidhjet

logo-print

Shqiptarët festojnë të ndarë 28 Nëntorin


Protesta e Lëvizjes qytetare "Zgjohu", para Qeverisë së Maqedonisë

Protesta e Lëvizjes qytetare "Zgjohu", para Qeverisë së Maqedonisë

Lëvizja Qytetare ka protestuar para Qeverisë për t`i thënë JO bllokimit të procesit integrues, ndërkohë në orët e mbrëmjes revoltën do ta shprehë përmes një koncerti në sheshin Skënderbeu.

“Lëvizja qytetare ‘Zgjohu’ feston Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin, duke demonstruar vullnetin e shqiptarëve për ta integruar Maqedoninë në NATO dhe BE. Për t’iu bashkangjitur flamurit tonë kombëtar, i cili që nga viti i kaluar valon në Bruksel, gjegjësisht pranë selisë së NATO-s dhe për t’u bërë anëtare e aleancës më të fuqishme Aleancës Veri-atlantike”,
shprehet Artan Grubi nga Lëvizja Qytetare “Zgjohu”.

Grubi bën të ditur se përmes koncertit të mbrëmjes, ku marrin pjesë këngëtarë të njohur nga estrada shqiptare e Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, “Zgjohu” do të ndajë rreth 1000 flamuj kombëtar, flamuj të NATO-s dhe BE-së, me ç’rast do të demonstrohet vullneti i fuqishëm i shqiptarëve për të qenë pjesë e procesit integrues në strukturat Eruo-atlantike.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik Shqiptar, parti kjo joparlamentare, përmes kryetarit të saj, Hysni Shaqiri, apelon për një bashkëpunim të thellë të të gjitha forcave politike shqiptare në vend, duke shpresuar në tejkalimin e të gjitha kundërthënieve të brendshme ndër-shqiptare në interes të avancimit të çështje së përgjithshme shqiptare.

“Me vetë faktin që deri më tani nuk kemi arritur të imponohemi që Maqedonia ta kuptojë realitetin e shtetit multietnik, se nuk mund të vendosin për fatin e shtetit vetëm maqedonasit, faji është te ne, sepse nuk kemi arritur të ndërtojmë një qëndrim unik rreth çështjeve me interes për shqiptarët e Maqedonisë. Fatkeqësisht, këtë e ka shfrytëzuar pala maqedonase duke na lënë jashtë loje”, deklaron Shaqiri.

Me të gjitha format e mundshme, Qeveria VMRO-DPMNE dhe BDI përjashton interesat e shqiptarëve, vlerëson PDSH-ja. Nënkryetari i partisë, Iljaz Halimi, thekson se shqiptarët e Maqedonisë e kanë vështirë të festojnë, meqë të drejtat e tyre janë cunguar, si në përdorimin e flamurit, institucionalizimin e gjuhës shqipe, ashtu edhe në të qenët pjesë përbërëse e institucioneve shtetërore.

“Më së rëndi e kemi tani me qeverisjen e partisë shqiptare, BDI, e cila është vënë në shërbim të realizimit të platformës së partisë së kryeministrit Gruevski VMRO DPMNE – rilindja në 100 hapa. BDI-ja me këtë marrëveshje është futur në Qeveri, të cilën e realizon me përpikëri fatkeqësisht në dëm të interesave të shqiptarëve të Maqedonisë”,
thekson Iljaz Halimi.

Por, BDI-ja, pjesë e koalicionit qeverisës, nënvizon se këtë vit në formë dinjitoze janë shënuar festat e nëntorit. Safet Neziri thekson se me inaugurimin e disa fakulteteve të USHT-së në Shkup, kryeqendrës i rikthehet imazhi i një qendre universitare.

“Sot, më 28 Nëntor solemnisht hapëm godinat e fakulteteve të disperzuara të USHT-së, që do të thotë ne i kthejmë kredibilitetin dhe pamjen shkollore Shkupit - qytet ky që ka qenë edhe kryeqendër e vilajetit të Kosovës. Do të thotë, tani Shkupi bëhet një qendër administrative universitare e rëndësishme jo vetëm për shqiptarët në Shkup, por anembanë Maqedonisë”
, thotë Neziri.

Ndryshe, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, uron shqiptarët kudo që jetojnë për këtë festë madhështore të kombit shqiptar.

Me këtë rast Selmani thekson se, “sot, kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po hapëron shpejt drejt Unionit Evropian, ndërsa Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe po kontribuon në stabilitetin dhe paqen në rajon, edhe ne shqiptarët e Maqedonisë ndajmë gëzimet dhe mburremi me arritjet dhe realitetin e ri për popullin shqiptar në Ballkan dhe kudo”.
XS
SM
MD
LG