Ndërlidhjet

Nis trajtimi i të kontaminuarve me plumb


Kamp në Mitrovicë

Kamp në Mitrovicë

Nga sasia e lartë e plumbit në gjak në veri të Mitrovicës, në dy kampet e romëve, Çesmin Llug dhe Osterod, kanë vdekur disa fëmijë, janë konkludimet nga rezultatet e analizave të bëra nga Fondi për të Drejtën Humanitare, në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve, patën deklaruar zyrtarë të këtyre institucioneve për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa, tani me zhvendosjen e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas (RAE) në jug të vendit ka filluar trajtimi i personave të prekur me plumb në gjak, thonë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtori i Departamentit për informim në këtë institucion, Faik Hoti, thotë se rëndësia e këtij veprimi është e shumëfishtë dhe shumëdimensionale.

Komunitetit RAE, komunitet, i cili qe shumë kohë ballafaqohet me kufizime në shërbime shëndetësore, tani e tutje do ta ketë mundësinë e trajtimit.

Tash është ligjërisht e hapur rruga që të zbatojnë aplikimin e terapisë të gjithë ata që deri para zhvendosjes nga kampi në pjesën jugore ku është ndërtuar lagjja për ta, është zbuluar që kanë nivel të plumbit në gjak”.

“Ministria e Shëndetësisë me këtë veprim ka bërë një gjest shumë të mirë që ka futu një protokoll për një kohë shumë të shkurtër, e që deri tash nuk është bërë asnjëherë. Sa i përket terapisë, do të ndihmojnë edhe donatorë të ndryshëm, por që tash për tash ka terapi të mjaftueshme”,
bën të ditur Hoti.

Sipas Hotit, çështja e statistikave të personave të prekur me plumb në gjak mbetet diskutabile, për arsye se kjo çështje ka pasur konotacione politike.

Hoti shton se kjo iniciativë e marrë nga Ministria e Shëndetësisë rrumbullakon një proces të tejzgjatur, që ka shterur shumë investime për të ardhur deri këtu.

“Çështja ka pasur edhe konotacione politike dhe disa nga këta fëmijë janë trajtuar edhe në Beograd. Por, me fillimin e terapisë, do të evidencohen dhe do të dihet realisht se sa janë prekur. Bëhet fjalë për më shumë se 100 familje që kanë jetuar në ato kampe, por nuk do të thotë se të gjithë janë të prekur me sasi të plumbit në gjak”,
sqaron Hoti.

Në anën tjetër, Fevzi Sylejmani, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, thotë se komuniteti RAE tani do të mund të trajtohet në këtë qendër, sapo të bëhen matjet adekuate të nivelit të plumbit në gjak. Sipas Sylejmanit, kërkesat për trajtim tashmë kanë filluar.

“Sapo të fillojë matja e nivelit të plumbit në gjak te fëmijët e komunitetit RAE dhe në bazë të vlerave dhe rekomandimeve të protokollit, që është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, menjëherë do të fillojë trajtimi, pasi që tash kemi terapinë e duhur”.

“Më herët është trajtua një pjesë e komuniteteve në pjesën veriore, por jo edhe në pjesën jugore, mirëpo ne nuk kemi kurrfarë informate. Te ne nuk kemi pasur kërkesa për shkak se nuk kemi bërë asnjëherë matjen e nivelit të plumbit në gjak”,
thotë Sylejmani.

Sidoqoftë, rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë qenë që banorët nga këto kampe, të zhvendosen sa më shpejt që është e mundur, derisa këta të fundit kanë jetuar për dhjetë vjet me radhë nën rrezikun e lartë të helmimit me plumb në gjak.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG