Ndërlidhjet

Në Moldavi prin Aleanca pro evropiane

  • RFE /RL

Gjatë numërimit të votave...

Gjatë numërimit të votave...

Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve në Moldavi tregojnë se Aleanca pro evropiane po udhëheq para komunistëve opozitarë. Me më tepër se 86% të votave të numëruara, tri parti liberale të Aleancës për Integrim Evropian, që udhëhiqet nga kryeministri Vlad Filat, prijnë me 50% të votave para komunistëve që kanë 41%.

Rezultatet finale priten gjatë ditës.

Megjithatë, duket se Aleanca pro evropiane nuk do t’i fitojë 61 vota, që janë të domosdoshme për ta zgjedhur presidentin në Parlamentin me 101 deputetë dhe për të përfunduar bllokadën politike, që këtë vend e ka mbajtur pa qeveri funksionale për më tepër se një vit.

Partia Komuniste ishte partia e vetme më e madhe në Parlament dhe ka pasur sukses në bllokimin e zgjedhjes së presidentit pro-perëndimor.


* * *

Në Moldavi janë hapur vendvotimet për zgjedhjet parlamentare që synojnë t'i japin fund vakuumit të pushtetit në vend.

Në zgjedhjet, në të cilat garojnë 20 parti dhe 19 kandidatë të pavarur, duhet të dalin një të tretat e votuesve që votimet të jenë të vlefshme.

Moldavia tashmë një vit është pa president me mandat të plotë, pasi Koalicioni Liberal në pushtet që nga zgjedhjet e 2009-ës nuk ka arritur ta sigurojë shumicën parlamentare për të zgjedhur shefin e shtetit.

Aleanca në pushtet ka premtuar reforma dhe lidhje më të ngushta me BE-në, por nuk ka mundur të zbatojë programin e saj për shkak të ngërçit politik.

Partia Komuniste humbi shumicën qeverisëse, në këto zgjedhje, por mbeti partia më e madhe në parlament dhe ia doli që të bllokojë zgjedhjen e presidentit.

Komunistët favorizojnë lidhje më të ngushta me Rusinë dhe ish-republikat tjera sovjetike.

Parlamenti i ka 101 vende, ndërsa duhen 61 vota për të zgjedhur presidentin. Sidoqoftë, 4.1 milionë moldavët e lodhur nga zgjedhjet do të përpiqen që të nxjerrin vendin nga qorrsokaku politik.

Votuesi Eugeniu Lazar tha se po voton për stabilitet.

“Votova për Partinë Liberal Demokrate, sepse dëshiroj stabilitet, më në fund, në këtë shtet”
, tha Lazar.

Zgjedhjet, në këtë shtet, mbi të cilin përpiqen të shtrijnë ndikimin fqinjët - Rusia në njërën anë dhe anëtarja e BE-së, Rumania, në anën tjetër, do të jenë test për të parë se si koalicioni në pushtet e shiti mesazhin pro-evropian gjatë 15 muajve sa ishte në pushtet.

Koalicioni i quajtur - Aleanca për Integrimin Evropian, përfshin Partinë Liiberal-Demokrate. Ky koalicion kërkon që ta lëvizë Moldavinë, një nga shtete më të varfëra të Evropës, më afër institucioneve kryesore evropiane.

Koalicioni po përpiqet që ta përgatisë vendin për anëtarësim në BE, duke përmirësuar infrastrukturën e shkatërruar dhe shërbimet publike përmes fondeve dhe ndihmave nga jashtë.

Presidenti i përkohshëm i Moldavisë, lideri liberal Mihai Gimpu, u tha gazetarëve pasi që hodhi votën e tij, se pret që Aleanca për Integrime Evropiane të sigurojë shumicën, në mënyrë që të zgjedhë presidentin e ri për mandat të plotë katër-vjeçar.

“Mandati katër-vjeçar për një qeveri demokratike do ta sjellë Moldavinë më afër BE-së, do të krijojë jetë më të mirë për qytetarët, më shumë punë, pensione, paga. Kjo është e mundur të arrihet brenda katër vjetësh, nëse kihet parasysh suksesi i arritur për vetëm një vit”,
tha Gimpu.

Por, lideri i Partisë opozitare Komuniste, Vladimir Voronin, shfaqi bindjen se partia e tij do të rifitojë pushtetin e humbur vitin e kaluar. Ai tha se pret që komunistët të sigurojnë shumicën kushtetuese.

“Pikë së pari kam votuar që t’i japë fund krizës pothuaj dyvjeçare politike në vend. Kam votuar për zhvillimin e shtetit tonë, për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe për të ardhmen evropiane të vendit”
, ka thënë Vororin.

Rezultatet e para nuk priten para mëngjesit të së hënës. (a.i.)

Të ndërlidhura

XS
SM
MD
LG