Ndërlidhjet

Thaçi: Kosova dhe Serbia në BE, si dy shtete të pavarura


Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se në bisedimet me Beogradin do të bëhet fjalë për të pagjeturit, për luftën kundër krimit, për infrastrukturën dhe energjetikën, por kurrsesi “nuk do të ketë bisedime për rregullimin e brendshëm të Kosovës”.

“Territori i Kosovës është i pranuar ndërkombëtarisht”, i tha Thaçi gazetës vjeneze, Standard, dhe shtoi se Kosova “në tërësi do ta zbatoj planin e Ahtisarit, lidhur me veriun” e Kosovës.

Zoti Thaçi tha se shpreson se Beogradi “do ta ndryshoj qëndrimin” ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, dhe theksoi se Serbia “nuk mund të jetë konstruktive ndaj Brukselit, ndërsa shumë destruktive ndaj Kosovës”.

Kryeministri në largim i Kosovës, ka vlerësuar se përfundimi i procesit, që hapet me dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, do të jetë njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe e Kosovës.

“Pastaj, presim, para se gjithash, njohjen e atyre pesë shteteve të BE-së, të cilat nuk na kanë pranuar ende”, tha Thaçi.

Ai theksoi se shpreson se Kosova, në të njejtën kohë, do t’i bashkohet BE-së sikur Serbia, “si dy shtete të pavarura”.
XS
SM
MD
LG