Ndërlidhjet

logo-print

WikiLeaks zbardh dokumente sekrete

  • RFE /RL

Themeluesi i WikiLeaks, Xhulian Asanxhe.

Themeluesi i WikiLeaks, Xhulian Asanxhe.

Publikimi i rreth 250 mijë dokumenteve sekrete do të trazojë Uashingtonin, por, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë pasoja serioze për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dokumentet janë përplot materiale dhe konkludime, të cilat mund t’i nxjerrë çdo lexues i kujdesshëm i çështjeve botërore.

Por, në mesin e tyre ka edhe dokumente të tilla që argumentojnë se, për shembull, Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të sulmojnë Iranin dhe programin e tij bërthamor.

Dokumentet e publikuara përfshijnë edhe hollësi për raportet shumë të afërta ndërmjet kryeministrit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij italian, Silvio Berluskoni, si dhe lidhjet e dyshuara të Qeverisë së Rusisë dhe krimit të organizuar.

Një nga reagimet e para ndërkombëtare për dokumentet e zbardhura nga WikiLeaks është ai i kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan. Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Stamboll, ai tha:

“Fillimisht duhet të shohim se çfarë disponon WikiLeaks dhe vetëm pastaj do të vlerësojmë nëse dokumentet e zbardhura janë të besueshme. Për momentin, besueshmëria e WikiLeaks është e dyshimtë”.

“Rrjedhimisht, ne do të presim derisa WikiLekas t’i zbardhë të gjitha informacionet që i përmban. Vetëm pastaj do t’i komentojmë”, tha kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.

Sidoqoftë, establishmenti politik në Uashington është i zemëruar për faktin që korrespondenca private ka dalë para syve të së gjithë botës. Madje, edhe nëse sfera të rëndësishme të politikës kanë mbetur të paprekura nga kjo zbardhje, mbetet e hapur çështja e rrezikut të shtuar për shkruesit dhe subjektet e raporteve.

Kumtesa e Shtëpisë së Bardhë thotë se zbulimi i dokumenteve vë në rrezik stafin diplomatik amerikan dhe atë të sigurimit, por edhe individët që jetojnë dhe punojnë nën rrethana represive dhe që mund të jenë të ekspozuar për ndihmë në përpjekjet për të krijuar shoqëri të lira.

Duke publikuar dokumente të vjedhura dhe të klasifikuara, WikiLeaks ka vënë në rrezik jo vetëm çështjen e të drejtave të njeriut, por edhe jetët dhe punën e këtyre individëve.

Admirali Majk Mullen, kryesues i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, në një intervistë për CNN, apostrofoi edhe një rrezik tjetër:

“Ajo që zyrtarët e WikiLeaks nuk e kuptojnë, është fakti se në botën në të cilën jetojmë, një pjesë e vogël e informatës mund të shtohet në rrjetin e informacioneve për të hapur çështje në formën që nuk janë hapur më parë. Rrjedhimisht, vazhdon të mbetet çështje e rrezikshme”, tha admirali Majk Mullen.

Pavarësisht kritikave, themeluesi i WikiLeaks, Xhulian Asanxhe, insiston se ai është duke promovuar transparencë të shëndetshme në çështjet qeveritare. Në këtë kontekst, nga Amani i Jordanisë, ai pos tjerash tha:

“Trendi i përgjithshëm i përgjegjshmërisë së ushtarakëve amerikanë është shqetësues. Por, për fat, në Qeverinë amerikane ka ende njerëz të mirë”.

“Disa prej këtyre njerëzve të mirë duan që gjërat t’i shohin në formë tjetër dhe ata janë të gatshëm të na ndihmojnë në këtë drejtim, duke na dhënë materiale”, tha Xhulian Asanxhe.

Ai ua ka dhënë kopjet e dokumenteve të WikiLeaks pesë gazetave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Një nga këto gazeta, përkatësisht New York Times, ka pohuar se dokumentet janë në shërbim të opinionit, duke ndriçuar synimet, sukseset, kompromiset dhe frustrimet e diplomacisë amerikane. (m.k.)
XS
SM
MD
LG