Ndërlidhjet

logo-print

Së pari kriteret, pastaj vizat


(Foto ilustruese)

(Foto ilustruese)

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, i ka porositur autoritetet vendore që të punojnë në zbatimin e kritereve në terren për heqjen e regjimit të vizave me BE-në. Lunacek ka bërë gjithashtu thirrje për zbatimin e një procesi të rregullt zgjedhor më 12 dhjetor, gjë që është theksuar edhe nga raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow.


Autoritetet kosovare kanë shfaqur besimin se raporti i një misioni të Komisionit Evropian, që pritet të vizitojë vendin në javën e ardhshme, të ndikojë në nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Ky mision thuhet se do të vlerësojë zbatimin e kritereve të nevojshme për heqjen e regjimit të vizave, siç duket me theks të veçantë te procesi i riatdhesimit dhe i riintegrimit të personave të riatdhesuar.

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se institucionet vendore do t’i forcojnë kapacitetet që kanë të bëjnë me riintegrimin e personave të kthyer.

“Duhet t’i përforcojmë pak më tepër zyrat për komunitete dhe kthim në nivel komunal, sepse ato janë destinimi i fundit. Ne do t’i forcojmë kapacitetet tona dhe me prioritetin e lartë të qeverisë - sidomos të Ministrisë së Punëve të Brendshme - kemi arsye për optimizëm”.

“Presim që pas këtij raportimi, në të vërtetë të fillojë dialogu, ta kemi dokumentin zyrtar dhe t’i përmbushim të gjitha ato kushte të tjera që do të kërkohen”
, u shpreh Rexhepi.

Paralajmërime optimiste për liberalizimin e vizave pat dhënë, ditë më parë, edhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pat thënë se në rast të rifitimit të një mandati të dytë në postin e kreut të ekzekutivit, kosovarët brenda 15 muajve të parë do të lëvizin pa viza në BE.

Deklaratat e tilla duket se kanë befasuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, e cila këto ditë po qëndron në Kosovë.

Ajo tha se nuk është ndihmuese që të jepen data lidhur me përfshirjen eventuale të Kosovës në liberalizimin e vizave, ndërsa theksoi domosdoshmërinë që të zbatohen në terren kriteret e nevojshme për të hyrë në këtë proces.
Do t’i kërkoja qeverisë, e cila është ende në fuqi, të presë misionin që do të vijë këtu javën e ardhshme dhe të shikojë se çfarë është zbatuar...

“Me duhet të pranoj se isha e befasuar kur dëgjova këtë, sepse nuk mendoj se është ndihmuese që të jepen data tani”.

“Do t’i kërkoja qeverisë, e cila është ende në fuqi, të presë misionin që do të vijë këtu javën e ardhshme dhe të shikojë se çfarë është zbatuar”,
u shpreh ajo, për të shtuar se me gjashtë eurodeputetë të tjerë do të jetë e pranishme në Kosovë edhe në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit.

Për dallim nga Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, Këshilli i Evropës nuk do të dërgojë ndonjë mision vëzhgues në vend për të mbikëqyrur procesin gjatë dhjetorit.

Megjithatë, një sy mbi ecurinë e këtyre zgjedhjeve do ta hedhë raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow.

Pas takimit me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Von Sydow shfaqi shpresën që pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, të nisë dialogu, siç tha ai, i institucionalizuar në mes të Kosovës e Serbisë.

“Kur të gjitha këto të përfundojnë, kur të keni një kuvend të ri, një qeveri dhe një kryetar të Kosovës, shpresojmë se do të mund të fillojë dialogu i institucionalizuar mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Von Sydow.

Rëndësia që dialogu në mes të Prishtinës e Beogradit të nisë pas përfundimit të procesit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, është ritheksuar nga autoritetet kosovare që nga shpërbërja e Kuvendit të Kosovës dhe rënia e Qeverisë Thaçi.

Jakup Krasniqi shprehu bindjen se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë gati të gjitha përgatitjet teknike, ndërsa theksoi se edhe partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e dhjetorit, kanë përgjegjësinë për zhvillimin e një procesi të rregullt elektoral.

“Unë pres që partitë politike në Kosovë, që e kanë përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe mirëmbajtjen e zgjedhjeve, ta dinë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Kanë përgjegjësinë para qytetarëve të Kosovës, para institucioneve të Kosovës, para demokracisë në Evropë, pasi që të gjitha partitë politike në fjalorin e tyre kanë integrimet në drejtim të Bashkimit Evropian”, u shpreh Krasniqi.

Lexoni edhe këtë:
Lunacek: Qeveritë e reja në BE - problem për heqjen e vizave


Trego komentet

XS
SM
MD
LG