Ndërlidhjet

A do të diskutohet Fondi Pensional?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në bisedimet e mundshme në mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të negociohet edhe çështja e Fondit Pensional të Kosovës, thonë përfaqësues të pensionistëve. Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje thonë se do të përpiqen që kjo çështje të jetë temë diskutimi.


Ndonëse nuk janë saktësuar temat e bisedimeve eventuale ndërmjet Prishtinës e Beogradit, përfaqësuesit e pensionistëve kosovarë thonë se Fondi Pensional i Kosovës duhet të jetë çështje diskutimi mes këtyre dy vendeve.

Me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga ish-Jugosllavia, kontributet e pensionistëve kosovarë, në mënyrë antiligjore, ishin bartur në shtetin serb. Andaj, Fatmir Fehmiu, nga Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, thotë se Fondi Pensional duhet të jetë temë e pashmangshme e dialogut eventual.

“Ai proces është i ngritur me kohë, për arsye se Serbia, kur ka suprimuar me dhunë dhe agresion autonominë, ka suprimuar edhe bashkësinë vetëqeverisëse të interesit, si institucion i cili ka funksionuar në sistemin e atëhershëm kushtetues”, thotë Fehmiu.

Por, ministri në dorëheqje i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, vlerëson se është ende herët të precizohet se cilat tema do të diskutohen në bisedimet eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ai shpreh bindjen se autoritetet përgjegjëse në këtë proces do të propozojnë edhe çështjen e Fondit Pensional.

“Normalisht, është një përgjegjësi morale dhe profesionale që të sqarohen gjërat lidhur me fondin, lidhur me buxhetin. Shumë pensionistë tanë kanë kontribuar në atë kohë në atë buxhet, por thjesht ai buxhet nuk ekziston”, thotë Rashiq, për të shtuar se lidhur me këtë çështje nevojitet edhe përkrahja e qeverisë dhe e faktorit ndërkombëtar.

Edhe Fatmir Fehmiu thekson nevojën e angazhimit më të madh të autoriteteve përgjegjëse. Në të kundërtën, sipas tij, heshtja e tyre do të mohonte të drejtën e një numri të madh të shtetasve të Republikës së Kosovës.

Vlerësimet e bëra, shton Fehmiu, flasin për rreth 2 miliardë euro borxh të Serbisë ndaj pensionistëve kosovarë.

“Sipas vlerësimeve që janë bërë para 10 vjetësh dhe tash, ajo shumë është rritur dhe sillet në rreth 2 miliardë euro, për arsye se më 31 dhjetor të vitit 1998, kanë qenë të evidentuar 89,135 pensionistë të të gjitha kategorive”, thotë Fehmiu.

Ai thotë se Sindikata e Pensionistëve ka bërë padi kundër Serbisë për të shpaguar dëmshpërblimin, mirëpo Departamenti i drejtësisë pranë UNMIK-ut në atë kohë, nuk ka lejuar që ajo padi të shkojë në vendin e destinuar.

Sidoqoftë, ende nuk është precizuar asgjë lidhur me temat e bisedimeve eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, pasi autoritetet kosovare thonë se përfundimi i procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit duhet t’i paraprijë çfarëdo dialogu me shtetin serb.

Lexoni edhe këtë: Nga kriza pësojnë shtesat
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG