Ndërlidhjet

Kushtet ekonomike zvarrisin kthimin


Foto arkivi
Foto arkivi

Procesi i kthimit të personave të zhvendosur nga Kosova ka ngecur, është vlerësuar sot gjatë një konference të mbajtur në Çagllavicë, ku kanë marrë pjesë dy nga ish-ministrat e Kthimit në Qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq dhe Branisllav Gërbiq. Sipas tyre, janë arsyet ekonomike ato që ndikojnë në zvarritjen e kthimit të serbëve në Kosovë.



Kushtet ekonomike në Kosovë pamundësojnë kthimin e një numri më të madh të personave të zhvendosur, është thënë sot gjatë një konference në lidhje me rikthimin e serbëve të zhvendosur nga Kosova, që është mbajtur në Çagllavicë.

Përderisa siguria nuk shihet më si problem, janë problemet ekonomike dhe problemet e shumta me çështjet pronësore që besohet se po zvarrisin kthimin.

Ish-ministri i Kthimit në Qeverinë e Kosovës, Branisllav Gërbiq, tha se ky proces mund të marrë një kuptim tjetër nëse do të trajtohet me kujdes në bisedimet e ardhshme teknike Kosovë-Serbi.

“Kthimi është një proces institucional dhe ai nuk mund të realizohet vetëm në forma individuale. Pra, përgjegjësia këtu bie mbi Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë”
.

“Ajo që duhet kërkuar dhe mundësuar serbëve, është pjesëmarrja në institucione në numrin që u takon – pra, aktualisht, një përfaqësim deri në 10 për qind”, nënvizoi Gërbiq.

Ish-ministri tjetër i Kthimit, Sllavisha Petkoviq, vlerësoi se trendi i filluar i kthimit të personave të zhvendosur gjatë kohës së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, nuk është vazhduar edhe gjatë mandatit të institucioneve të Kosovës.

“Procesi i kthimit, pas 11 vjetësh, po bëhet gati i pamundur, përveç rasteve të kthimeve individuale. Kjo - për shumë arsye, por arsyet kryesore janë ato ekonomike”, tha Petkoviq.

Kthimi i personave të zhvendosur në disa raste ka të bëjë edhe me shqiptarët, sidomos ata që para vitit 1999 kanë jetuar në veri të Kosovës.

“Nuk e kemi kthyer asnjë shqiptar në veri dhe asnjë serb në jug. Por, ne kemi kthyer persona të zhvendosur shqiptarë në katër fshatra në Leposaviq, komunë kjo në veri të Kosovës”
, tha Petkoviq.

Në konferencë ka munguar ministri aktual në dorëheqje, Sasha Rashiq, kështu që aty nuk janë publikuar rezultatet konkrete në fushën e kthimit.

Kurse, gjatë konferencës, Sllavisha Petkoviq replikoi edhe me gazetarët shqiptarë, duke i cilësuar mediat në gjuhën shqipe përgjegjëse, sikurse edhe institucionet dhe shoqërinë kosovare për mungesën e kthimit.

Ai tha se ka përshtypjen që shoqëria dhe politika kosovare janë të papjekura dhe në vend se të merren me problemet ekzistuese në Kosovë, merren me qëndrimet e Qeverisë së Serbisë. Kurse, festimi i 28 Nëntorit, sipas tij, tregon se shoqëria kosovare nuk e di ende nëse jeton në Kosovë apo në Shqipëri.
XS
SM
MD
LG