Ndërlidhjet

logo-print

Akuza të rënda ndaj FIFA-s




Transparency International ka kërkuar nga FIFA që të shtyjë garën për përcaktimin e organizatorëve të kupave të botës në vitin 2018 dhe 2022 pas akuzave të reja për korrupsion.

Të enjten, në prani të udhëheqësve botërore dhe yjeve të futbollit, komiteti ekzekutiv i FIFA-s pritet të përcaktojë organizatorët e këtyre dy ngjarjeve të mëdha.

Seleksionimi i organizatorëve të kupave të 2018 dhe 2022 “duhet të shtyhet derisa të zbardhet gjithë e vërteta rreth akuzave të publikuara në media”, kërkoi Transparency International. Më tej në deklaratën e kësaj organizate thuhet se “akuzat kanë diskretituar procesin e vendimmarrjes në FIFA, ndaj vendimi në këto rrethana vetëm do të thellojë kundërthëniet”.

Gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger” ka raportuar se Rikardo Teiksera nga Brazili, shefi i futbollit afrikan, Issa Hajatou dhe kolegu i tij jugamerikan, Nikolas Leoz ishin pjesë e një liste sekrete pagesash nga kompania ISMM/ISL rreth një dekadë më parë. Kompania në fjalë, tashmë e falimentuar ka qenë partneri zyrtar i FIFA-s në çështjet e marketingut.

Një tjetër media, BBC, në emisionin Panorama të transmetuar në orët e vona të së hënës akuzon të njëjtët persona. BBC akuzon dhe një tjetër zyrtar të FIFA-s, Xhek Uarner nga Trinidadi se është përpjekur të shesë në tregun e zi biletat e Kupës së Botës.

Panorama tha se ka në dorë një dokument ku detajohen 175 pagesa në vlerë prej 100 milionë dollarësh bërë mes viteve 1989-1999 nga kompania ISL. Shumica dërrmuese e këtij fondi ka shkuar në xhepat e zyrtarëve të FIFA-s, u tha në emisionin Panorama.
XS
SM
MD
LG