Ndërlidhjet

Premtime për të mbledhur vota (?)


Pamje nga zgjedhjet lokale të 2009-ës...

Pamje nga zgjedhjet lokale të 2009-ës...

Ndonëse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, që priten të mbahen më 12 dhjetor, politikanët kanë filluar të japin premtime, të cilat vështirë se mund të kenë mbulesë, vlerësojnë analistët e çështjeve politike.

Ata thonë se ndër premtimet kryesore të politikanëve për qytetarët, janë liberalizimi i vizave dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Analisti Krenar Gashi, nga Instituti Kipred, vlerëson se premtimet e tilla janë vetëm një zëvendësim i përkryer i atij për pavarësimin e Kosovës, që partitë politike e kishin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007.

“Ky zëvendësim është integrimi evropian dhe gjithçka që lidhet me integrimin evropian. Mirëpo, kjo nuk është ndonjë mbulesë për programet politike, në bazë të të cilave këto parti do të konkurrojnë. Nuk do të varet prej këtyre partive politike as çështja e liberalizimit të vizave, e deri diku as integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian”.

“Natyrisht se ne kemi shumë punë për të bërë për të dyja këto aspekte. Megjithatë, këto i takojnë makro-politikës dhe nuk janë çështje me të cilat do të duhej të garonin partitë politike karshi njëra-tjetrës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”,
thotë Gashi.

Analisti Ilir Ibrahimi thotë se partitë politike duhet pasur kujdes lidhur me premtimet që japin, por, sipas tij, edhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm se si i marrin ato premtime.
Premtimet paraelektorale gjithmonë duhet të merren me një dozë rezerve, sepse janë premtime për të mbledhur vota...

“Premtimet paraelektorale gjithmonë duhet të merren me një dozë rezerve, sepse janë premtime për të mbledhur vota. Por, besoj se çdonjëra parti politike duhet ta ketë në programin e saj integrimin në Bashkimin Evropian, sepse kjo edhe është e ardhmja e Kosovës”.

“Sa i përket asaj se sa kanë mbulesë, do të varet nga kapaciteti i tyre që të punojnë në drejtim të integrimeve evropiane. Se cila parti ka më tepër kapacitete, mbetet të shihet nga programet e tyre dhe nga ajo se çfarë do t’iu ofrojnë ato votuesve të Kosovës”.

“Integrimet evropiane apo euroatlantike nuk varen vetëm nga zhvillimet politike në Kosovë. Ato varen edhe nga qëndrimi që e ka Brukseli në këtë rast”,
thekson Ibrahimi.

Të dy këta analistë thonë se politikanët dhe partitë politike duhet të ballafaqohen me mundësitë reale të realizimit të premtimeve të tyre, por edhe me kërkesat e qytetarëve.

Krenar Gashi
Krenar Gashi thotë se, deshën ose jo partitë politike, qytetarëve do t’iu interesojë se çfarë zgjidhjeje do të ofrojnë secila prej tyre për dy probleme, të cilat ai i quan kyçe dhe imediate.

“I pari ka të bëjë me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe strategjinë për privatizimin e ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe projektin ‘Kosova e re’. Ndërsa, i dyti ka të bëjë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Janë këto dy rrafshe, në bazë të të cilave, në fund, qytetari i Kosovës do të vendosë për votën e tij se kujt do t’ia japë. Kurse, partitë politike, duke mos dashur të merren me problemet qenësore, tashmë kanë filluar të japin premtime marramendëse - dikush anëtarësim në OKB në vitin 2011, e dikush anëtarësim në Bashkimin Evropian shumë shpejt”,
shprehet Gashi.

Sipas tij, edhe premtimi për rritjen e pagave vështirë se do të mund të realizohet me buxhetin e Kosovës.

Por, analisti Ilir Ibrahimi thotë se për premtimet e tilla, përgjigjen duhet ta japin vetë politikanët.

“Ndoshta është një pyetje për politikanët, të cilët i bëjnë këto premtime, se si do t’i mbulojnë ato. Planifikimi i buxhetit bëhet në bazat buxhetore. Ne e dimë që Kosova e ka nja buxhet shumë të vogël dhe ne e kemi edhe një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili e vë një kufi të shpenzimeve për paga dhe mëditje këtu në Kosovë”.

“Se sa rritje të pagave do të kemi në Kosovë në bazë të këtyre premtimeve, nuk e di. Mirëpo, besoj se një përgjigje më të qartë në këtë pyetje do të mund ta bënin politikanët”,
konkludon Ibrahimi.

Lexoni edhe këto:
Votuesi dhe zgjedhjet
Çka ndikon tek elektorati?
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG