Ndërlidhjet

Thaçi: Vizat brenda 15 muajve


Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi (Foto arkiv).

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi (Foto arkiv).

Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, në mënyrë indirekte ka replikuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, duke thënë se Brukseli është pajtuar që Kosova të përfshihet në liberalizimin e vizave në një afat prej 15 muajsh. Një ditë më herët, Lunacek ka thënë se Brukseli nuk ka një afat të tillë. Edhe analistët vlerësojnë se afati prej 15 muajsh është vështirë i arritshëm për Kosovën.


Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, vazhdon të premtojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës brenda një afati prej 15 muajsh.

Ndonëse, një ditë më parë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, tha se Brukseli nuk ka një afat të caktuar kohor për Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave dhe i bëri thirrje qeverisë, që në vend të afateve, të përqendrohet në plotësimin e kritereve për t’u përfshirë në Shengenin e Bardhë, Thaçi tha se ka kontakte direkte me Brukselin dhe se ky proces do të përmbyllet brenda 15 muajve apo edhe më herët.
Kam besim të plotë dhe konfirmim edhe nga Brukseli se nuk do të vonohet më shumë se 15 muaj.

“Unë jam i zotuar që t’i implementoj të gjitha kriteret demokratike, bile edhe për më pak se 15 muaj, që Kosova t’i kryejë obligimet e veta për liberalizimin e vizave. Kam besim të plotë dhe konfirmim edhe nga Brukseli se nuk do të vonohet më shumë se 15 muaj. Unë vazhdoj të kem linja direkte me autoritetet vendimmarrëse në Bruksel”, tha Thaçi.

Deklaratat dhe premtimet e kryeministrit në dorëheqje nuk merren me shumë optimizëm nga shoqëria civile. Analisti Ylli Hoxha, drejtor i Klubit për Politikë të Jashtme, tha se Kosova ka pengesa serioze kontraktuale me Bashkimin Evropian, për shkak të mosnjohjes nga ana e 5 vendeve anëtare.

“Mendoj se problemi me Bashkimin Evropian është fillimisht politik. Të zgjidhet problemi politik, atëherë problemet teknike do të jenë më lehtë të zgjidhshme. Kosova nuk ka kapacitet të futet në raport politik kontraktual me BE-në momentalisht dhe kjo do ta pengojë, herët apo vonë, ecjen e saj në këtë drejtim. Pa u zgjidhur problemi politik, vështirë se do të mund të kalojmë në problemet teknike”, tha Hoxha.

Nisur nga problemet politike në raportet Kosovë - BE dhe ngecjet që, sipas Ylli Hoxhës, janë evidente në kuadër të integrimeve evropiane, ai nuk i merr si shumë premtuese zotimet e kryeministrit në dorëheqje për liberalizimin e vizave brenda 15 muajve të ardhshëm.
...argumentet që janë në anën e zonjës Lunacek, janë shumë më serioze dhe më bindëse.

“Kosova ka ngecur me hapa të dukshëm në krahasim me rajonin në të gjitha proceset që çojnë në integrimin evropian. Unë me të vërtetë do të kisha dëshirë t’i besoja kryeministrit, por nuk mundem. Nuk mundem, sepse argumentet që janë në anën e zonjës Lunacek, janë shumë më serioze dhe më bindëse”.

“Kosova, aktualisht, nuk ka kapacitet kontraktual me BE-në dhe si e tillë vështirë se do të mund të depërtojë në një proces më serioz në raport me BE-në”,
theksoi Hoxha.

Integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike dhe liberalizimi i vizave tashmë janë bërë pjesë e premtimeve parazgjedhore. Këto procese shihen të domosdoshme, pasi që Kosova, si shteti më i ri, ka mbetur e fundit si në aspektin e integrimit, ashtu edhe në atë të qarkullimit të qytetarëve të saj nëpër Evropë pa viza.

Lexoni edhe këtë:
Lunacek: Qeveritë e reja në BE - problem për heqjen e vizave
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG