Ndërlidhjet

Çfarë çon në krijimin e partive të reja?


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Krijimi i subjekteve të reja politike shqiptare, qofshin ato të mëdha apo minore, është një realitet, i cili lind për arsye të shterpësisë së ideve dhe veprimit të partive politike ekzistuese, thonë analistët politikë.

Alajdin Demiri, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, vlerëson se dy partitë më të mëdha politike shqiptare - Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare - me formën e veprimit të mbyllur hermetikisht për ide të reja dhe qasjen konfrontuese mes tyre, kanë shkaktuar pakënaqësi te masa, veçanërisht tek intelektualët e pavarur.

“Problemi është në atë se hapësira politike është e ngushtë dhe partitë e reja nuk mund të kenë dhe aq perspektivë, për arsye të mentalitetit politik te shqiptarët, si dhe për arsye të konceptit politik”.

“Ende nuk është kuptuar pluralizmi në mënyrë të drejtë, ende nuk është kuptuar ekzistimi i ideve të ndryshme në mënyrë të drejtë, ende në një mënyrë ekziston, funksionon ideja e monopartizimit, partisë më të madhe...”,
shprehet Demiri, duke nënvizuar se pikërisht ky mentalitet bën që partitë më të mëdha politike të jenë më komode.

Me këtë nuk pajtohet Marija Ristevska, nga Qendra për hulumtimin dhe krijimin e politikave, e cila thotë se qytetarët, jo rrallëherë, kanë dënuar me votën e tyre sjelljen devijuese të partive politike apo të vetë politikanëve.

Ajo sjell shembullin e zgjedhjeve të fundit, kur qytetarët votonin për një kandidat presidencial dhe votën e tyre e jepnin krejtësisht për një parti tjetër për zgjedhjet lokale.

“Ka shumë raste... Sado e shkurtër të jetë hapësira kohore para zgjedhjeve, formohet një parti e re dhe me sukses arrin të absorbojë vota, pasi ka promovuar ide krejtësisht të reja si dhe është angazhuar për zgjidhjen e problemeve konkrete”, thotë Ristevska.

Nga ana tjetër, Albert Musliu, nga Instituti për Zhvillime Demokratike, thotë se bllokimi për disa vite i procesit integrues imponon krijimin e partive politike, sidomos te shqiptarët.

Veçanërisht bllokimi i proceseve, që për shqiptarët janë primare, siç është integrimi në NATO dhe integrimi në Bashkimin Evropian, pamundësia për t’i zgjidhur këto çështje dhe problemet tjera që i prekin shqiptarët e Maqedonisë, sigurisht se do të gjenerojnë subjekte të reja politike, që janë krijuar ose do të paraqiten së shpejti, nëse nuk ndryshon diçka për të mirë në mënyrën e qeverisjes së Maqedonisë”, shprehet Musliu.

Gjatë fundjavës së kaluar, edhe zyrtarisht u formua partia më e re në skenën politike maqedonase, “Lidhja Shqiptare”, kryetari i së cilës, Valon Bela, synon kantonizimin e Maqedonisë.

Formimin e një subjekti të ri politik e ka paralajmëruar edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, partia e të cilit do të ketë për qëllim që Maqedonia të definohet si shtet i barabartë i shqiptarëve dhe maqedonasve.
XS
SM
MD
LG