Ndërlidhjet

KE nis trajtimin e të kontaminuarve me plumb


Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në partneritet me USAID-in dhe Komunën e Mitrovicës ka filluar të bëjë analizat e nivelit të plumbit në gjak për 78 fëmijë romë, ashkalinjë dhe egjiptianë të cilët së voni janë zhvendosur në Mëhallën e Romëve nga kampet "Osterode" dhe "Çesmin Llug" të kontaminuara me plumb.

Në një njoftim të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së thuhet se infermieret e ambulantës në Mëhallën e Romëve do të bëjnë hapat e para për analizat e fëmijëve të tillë pas miratimit të protokollit të trajtimit nga Ministria e Shëndetësisë.

Zyrtarët shëndetësorë varësisht prej rezultateve të analizave do të bëjnë trajtimin pasues, thuhet në njoftim.

“Ngjarjet e sotme kanë të bëjnë me ofrimin e mundësive reale për fëmijët që të kenë jetë më të mirë pas viteve të jetesës në kampet e kontaminuara me plumb. Ekspozimi ndaj plumbit dhe metaleve të rënda mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për shëndetin e fëmijëve”, ka thënë Kjartan Björnsson, i ngarkuar me punë në Zyrën ndërlidhëse të KE-së në Kosovë.

Zyra ndërlidhëse e KE-së ka edhe inauguruar fabrikën e re në Parkun Industrial të Mitrovicës që do të punësojë 12 gra dhe meshkuj nga komuniteti RAE dhe 3 nga komuniteti shumicë.

Fabrika "Muja" do të prodhojë thasë të letrës për artikuj ushqimor dhe për materiale ndërtimore.

Projekti i financuar nga BE-ja ka bërë blerjen e lëndës së parë për fillimin e prodhimit.
XS
SM
MD
LG