Ndërlidhjet

Nuk lejojnë hapjen e vendvotimeve


Mitrovicë
Mitrovicë
Autoritetet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë thanë se do t’i vazhdojnë përgatitjet teknike për zhvillimin e zgjedhjeve edhe në pjesën veriore të vendit. Përfaqësuesit e serbëve të veriut, ndërkaq, paralajmëruan se nuk do të lejojnë hapjen e vendvotimeve në zonat e banuara me serbë në veri më 12 dhjetor.


Serbët e veriut të Kosovës duket se kanë vendosur që kundërshtimin e tyre ndaj zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit ta zbatojnë në praktikë, duke mos lejuar hapjen e vendvotimeve në këtë pjesë të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë synon që të hapë vendvotimet edhe në veri, për t’u mundësuar, qoftë edhe me vendvotime mobile, serbëve të asaj pjese të shfrytëzojnë të drejtën për të zgjedhur strukturën e re udhëheqëse të Kosovës.

Mirëpo, kryetari paralel i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, tha se do të pamundësohet hapja e vendvotimeve në zonat e banuara me serbë në veri të Kosovës.
Kjo nuk do të jetë e mundur dhe e kemi theksuar se është e papranueshme për ne...

“Kjo nuk do të jetë e mundur dhe e kemi theksuar se është e papranueshme për ne qe dikush nga Prishtina të hapë vendvotime në zyra të stacionit policor në veri. Kjo nuk ndodh askund në botë dhe këtë nuk do të lejojmë të ndodhë as te ne. Me siguri që shqiptarët do të dalin në fshatrat e veta, në Lipë, Zhazhë, Boletin - në shkollat e tyre, dhe këtë me siguri se nuk do ta pengojë askush”,
u shpreh Miloviq.

Qëndrimet kundërshtuese të disa serbëve në veri ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, sipas zyrtarëve qeveritarë serbë, flasin për një situatë të tensionuar atje. Ata i cilësuan si provokim synimet e autoriteteve kosovare për vendosjen e kutive të votimit në veri të Kosovës.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, tha se veprime të tilla mund të shkaktojnë incidente në ditën e zgjedhjeve.

“Qëndrimi ynë është se vendet e votimit në veri, në çfarëdo ambienti publik, mund të jenë një sfidë edhe shkak për incidenteve dhe kjo na duhet më së paku. Kjo mund të trajtohet si një provokim dhe nuk dihet se si mund të përfundojë ky provokim”,
theksoi Ivanoviq.

Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të vazhdojë përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare edhe në zonat në veri të vendit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, tha se paralajmërimet e serbëve për pengimin e procesit zgjedhor nuk mund ta zbehin synimin e autoriteteve përgjegjëse për të mundësuar zhvillimin e një procesi të rregullt elektoral më 12 dhjetor.
Kërcënimet apo apelet janë një gjë që nuk duhet paragjykuar, por nuk mund ta ndalojnë procesin...

“Kërcënimet apo apelet janë një gjë që nuk duhet paragjykuar, por nuk mund ta ndalojnë procesin, ose nuk mund t’i japin një kahe tjetër pavarësisht se kush çka mendon”, tha Ajvazi.

Sipas Ajvazit, ecuria e procesit zgjedhor edhe në veri do të menaxhohet në koordinim me mekanizmat e sigurisë në vend.

Policia e Kosovës, e mbështetur nga trupat e KFOR-it dh pjesëtarët e policisë së misionit evropian për sundimin e ligjit, do të jenë përgjegjës për të siguruar një ambient të qetë në ditën e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se ekzistojnë plane të veçanta operative për të kontrolluar, në aspektin e sigurisë, ecurinë e procesit elektoral.

I pyetur për masat që do të ndërmarrë Policia e Kosovës në rast të kërcënimeve apo tentimeve eventuale që kanë për qëllim të pengojnë daljen dhe pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, Hoti u shpreh:

“Do të varet nga forma e kërcënimit apo rrezikut, e cila paraqitet aty për aty. Sigurisht, masat që do të ndërmerren do të jenë në proporcion me situatën, e cila paraqitet”.


Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ndër të tjera, do të garojnë dhe gjashtë parti politike dhe dy nisma qytetare serbe.

Lexoni edhe këto:
Serbët e veriut sërish kundër zgjedhjeve
Beogradi s'i thërret serbët të dalin në zgjedhje
XS
SM
MD
LG