Ndërlidhjet

WikiLeaks kundër diplomacisë amerikane


Themeluesi i WikiLeaks-it, Xhukian Asanxhë.
Themeluesi i WikiLeaks-it, Xhukian Asanxhë.
Publikimi i dokumenteve sekrete diplomatike të Shteteve të Bashkuara në WikiLeaks, me gjasë, do ta vështirësojë punën e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.


Publikimi në Internet i 250 mijë dokumenteve sekrete diplomatike të Shteteve të Bashkuara nga ana e organizatës WikiLeaks, e ka trazuar botën me kundërthënie.

Disa ditë pas publikimit, me ç’rast liderë botërorë dhe zyrtarë të Shteteve të Bashkuara po përpiqen ta menaxhojnë kontrollin e dëmit, gazetarët dhe ekspertët vazhdojnë të gjejnë zbulime atraktive, lidhur me udhëheqjen e politikës së jashtme amerikane.

Por, kjo nuk është stuhi e zakonshme gazetareske. Një nga aspektet më goditëse të këtij publikimi të WikiLeaks-it, është sa çfarë ndikimi global vërtet ka kjo çështje.

Dokumentet, që qartazi i janë dhënë WikiLeaks-it nga një ose më shumë burime brenda Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, vijnë nga diplomatët amerikanë, të vendosur praktikisht në secilin kënd të botës.

Përmbajtja e tyre ka shkaktuar ndjeshmëri dhe ndonjëherë raportim me zemërim në vendet prej Spanjës e deri te Koreja e Jugut, Argjentina dhe Irani.

Por, njëra nga pyetjet më intriguese nga kjo bujë, involvon edhe çështjen se në çfarë mase këto zbulime do të ndikojnë në vetë Shtetet e Bashkuara.

Hillari Klinton
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka folur për rëndësinë që kanë konverzimet konfidenciale në diplomaci.

“Secili shtet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të jetë në gjendje të ketë konverzime të fshehta lidhur me popujt dhe vendet me të cilat merret. Dhe secili vend, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duhet të jetë në gjendje të ketë dialog të sinqertë dhe privat për çështjet e interesit të përbashkët”, ka thënë Klinton.

Këto mendime i ka shprehur edhe Tomas Pikering, ish-ambasador amerikan në Jordani, Rusi dhe në Kombet e Bashkuara.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se beson se butësia e qartë e Uashingtonit ndaj rrjedhjeve të informacioneve, do ta dëmtojë kredibilitetin e Amerikës.

“Ndjenja ime është se kjo e shkatërron shumë kredibilitetin e Shteteve të Bashkuara, për shkak të pamundësisë së qartë për t’i mbajtur sekrete ato që i janë dhënë në mënyrë të fshehtë”, ka thënë Pikering.

Nisur nga kjo, mendohet se në të ardhmen, diplomatët e Shteteve të Bashkuara do të kenë kohë të vështira për të udhëhequr bisedime të fshehta, nëse partnerët e tyre të jashtëm duhet të kenë frikë se konverzimi i tyre do të bëhet publik.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder, ka shpallur se qeveria e ka nisur hetimin penal lidhur me faqen në Internet, WikiLeaks, duke thënë se aksionet e këtij grupi “e kanë vënë në rrezik sigurinë tonë kombëtare”.

Zyrtarë të tjerë mendojnë se themeluesi i WikiLeaks-it, Xhulian Asanxhë, do të mund të akuzohej sipas ligjit të vitit 1917, që e ndalon publikimin e dokumenteve sekrete qeveritare.

Por, disa ekspertë e shtrojnë pyetjen nëse pretendimet për dëmet, që i janë shkaktuar diplomacisë së Shteteve të Bashkuara, janë të rritura.

Xheofri Berixh, profesor i historisë diplomatike në Universitetin Leicester në Britani, thotë se efektet e paszbulimit të WikiLeaks-it, me gjasë, do të jenë afatshkurtra, “për aq sa përvoja nuk përsëritet”.

Ai thotë se “ajo që do të shkaktojë dëm të përkohshëm në autoritetin e Shteteve të Bashkuara, është fakti se ishte mjaft budalla që të lejojë qarkullime aq të gjëra të materialit të këtillë në kohën elektronike”.

Në përgjigjet e zbulimit të dokumenteve, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë pranuar se skandali aktual, së paku pjesërisht, e ka zanafillën në politikat e vetë qeverisë.

Duke u kthyer te përgjigjet për kritikat, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001, qeveria pat marrë masa që kishin për qëllim lehtësimin e ndarjes së informacioneve në mes të agjencive të ndryshme qeveritare, meqë dështimi për ta bërë këtë, ishte cituar gjerësisht si një nga shkaqet për dështim në parandalimin e katastrofës.

Tash, thonë ekspertët, rreziku i ri mund të jetë kthim në ndarjet e departamenteve para 11 shtatorit dhe hezitimit dëmtues për të zbuluar informacione në mesin e degëve të ndryshme të qeverisë.

Departamenti i mbrojtjes tashmë ka shpallur se po implementon një varg të masave, të parapara për parandalimin e rrjedhjeve në të ardhmen.

Komentatori i kanalit privat të njohur televiziv, Fox News, Bill O’Reilli, ka thënë se “kushdo që i ka hedhur të gjitha këto dokumente të Departamentit amerikan te WikiLeaks-i, është tradhtar dhe duhet të ekzekutohet ose të burgoset për jetë”. (f.b.)
XS
SM
MD
LG