Ndërlidhjet

Nisin fushatën dhe premtimet


Billbordet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë
Billbordet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë

Me prezantimin e kandidatëve për deputetë dhe programit të tyre, partitë politike në Kosovë nisën fushatën për zgjedhjet e 12 dhjetorit.


Partitë politike garuese në zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë nisur të mërkurën fushatën zgjedhore.

E para me fushatën, qysh në mesnatë, ka nisur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Rugova. Nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, ka thënë se në demokraci nuk mund të ketë kompromis në mes të mirës dhe të keqes.

Shala ka thënë se Kosova duhet t’i çrrënjosë krimin, korrupsionin dhe keq-qeverisjen, duke premtuar se qeveria nën drejtimin e AAK-së dhe të nominuarit të saj për kryeministër, Ramush Haradinajt, është e gatshme që ta bëjë një gjë të tillë.

“Juve, qytetarëve të Kosovës, duhet t’u kthehet shpresa që do të jetoni prej djersës suaj, që do të jeni qytetarë krenarë të një shteti, për të cilin aq shumë sakrifikuat. E dimë se çka prisni prej nesh, e dimë se çfarë mund t’ju ofrojmë. Zotohemi se do të punojmë ndershëm për ju, për Kosovën”
, ka thënë Shala.

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën e saj në Gjilan. Kryetari i saj, Hashim Thaçi, i nominuar edhe për një mandat për kryeministër, ka thënë se fitorja e PDK-së, do të thotë integrim i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Tani e kërkoj votën tuaj për mandatin e integrimit të Republikës së Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian. Jam i bindur se bashkërisht do t’ia arrijmë dhe se liberalizimin e vizave do ta bëjmë brenda 15 muajve nga janari i vitit të ardhshëm”
, ka theksuar Thaçi.

Ndërkohë, në hapjen e fushatës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka premtuar një qeveri të përgjegjshme, të pakorruptuar dhe në shërbim të qytetarit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka premtuar shkurtesa në administratë, më pak ministri dhe kursime buxhetore, si dhe reforma në drejtësi, shëndetësi e arsim.

Mustafa ka thënë se qytetarëve nuk u duhen premtime për rritje pagash, por u duhen reforma ekonomike për përmirësimin e standardit të jetesës.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që ky shtet të ndërtohet mbarë, që kjo Kosovë të qeveriset mbarë, që Kosova të bëjë emër të mirë në arenën ndërkombëtare, që ne do të bëjmë një qeveri të re, nj qeveri të ndershme, një qeveri punëtore e cila do të japë shembull të qeverisjes jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e në Evropë
”, është shprehur Mustafa.

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq kishte zgjedhur Mitrovicën për fillimin e fushatës. Kjo Lëvizje ka paralajmëruar se përveç që do t’i përjashtojë nga puna të gjithë zyrtarët e korruptuar, atyre edhe do t’ua konfiskojë pasurinë.

Si një subjekt politik që angazhohet për bashkimin e shqiptarëve, Vetëvendosje konsideron se bashkimi duhet të fillojë nga unifikimi i qytetit të Mitrovicës. Lideri i saj, Albin Kurti, ka kritikuar të gjitha qeveritë e deritashme për keqqeverisje.

“Sovraniteti i Kosovës nënkupton kontrollin e pasurive natyrore, kontrollin e kapaciteteve zhvillimore, nënkupton vendimmarrje politike sovrane pa dirigjime nga jashtë prej atyre që nuk i kanë votat e popullit”
, ka nënvizuar Kurti.

Fushatën e ka hapur edhe Aleanca Kosova e Re. E nominuara për kryeministre nga kjo parti politike, Mimoza Kusari - Lila ka premtuar luftimin e korrupsionit, si dhe rritje ekonomike dhe vende të reja të punës.

“Rritje ekonomike me 7 për qind në vit dhe rreth 30 mijë vende të punës çdo vit të qeverisjes. Ngritjen e standardit të arsimit, ngritje në nivel të shërbimeve shëndetësore, në mënyrë që të mos e kërkojmë gjithmonë ilaçin jashtë Kosovës. Të zbatohet përkujdesja sociale dhe sigurimi i mirëqenies për të gjitha kategoritë e harruara në Kosovë”,
ka thënë Kusari - Lila.

Me një ekspozitë me pamje nga jeta sociale në Kosovë, në qendër të Prishtinës fushatën e ka hapur Fryma e Re. Kryetari i saj, Shpend Ahmeti ka se gjendja e rëndë sociale në vend është rezultat i qeverisjes aktuale.

“Kjo qeverisje e ka sjellë Kosovën në gjendjen më të mjerueshme dhe ky nuk është shteti, për të cilin gjenerata të tëra kanë sakrifikuar. Koncepti i Frymës së Re është që ta ndryshojë këtë gjendje, që ta ndërtojmë Kosovën, të cilën të gjithë e kemi. E, ku ta fillojmë fushatën më mirë sesa para simbolit të pavarësisë NEWBORN-it?!”
, ka theksuar Ahmeti.

Në mënyrë simbolike, Lidhja Demokratike e Dardanisë ka filluar fushatën në vendlindjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, në Cercë të Istogut.
Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci ka kërkuar nga votuesit që më 12 dhjetor të votojnë LDD-në, në mënyrë që t’i jepet fund, sipas tij, korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Fushatën e saj e ka hapur edhe Partia Socialdemokrate e Agim Çekut, e cila garon në kuadër të listës së Aleancës Kosova e Re. Me këtë rast, Çeku ka prezantuar kryesisht aspektet e orientimit programor të socialdemokratëve.

“Ne kemi formuluar programin tonë në pesë shtylla kryesore: shtylla e parë është fuqizimi i shtetit të Kosovës, integrimi i pjesës veriore në sistemin kushtetues e juridik të Kosovës dhe ndërtimi i identitetit shtetëror të Kosovës”, ka shpalosur programin e tij Çeku.

Me homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, fushatën e ka nisur edhe Lista Krahu i Popullit, që drejtohet nga Radomir Dimiq. Ai ka thënë se Lista që drejton është shumetnike dhe se ka zgjedhur që fillimisht t’i bëhen nderime presidentit historik të Kosovës.

“Jam për të bërë një homazh presidentit historik, zotëri Ibrahim Rugova i cili me të drejtë mund të quhet Mandela i Kosovës, sepse ka dhënë kontribut të madh për ruajtjen e paqes”
, është shprehur Dimiq.

Ndryshe, për garën zgjedhore të 12 dhjetorit janë certifikuar 29 subjekte politike, nga të cilat 7 i përkasin shumicës shqiptare, 8 janë nga radhët e komunitetit serb, 4 janë subjekte boshnjake, 2 turke dhe 8 subjekte nga pakicat e tjera.
XS
SM
MD
LG